Arbëri

SHBA-ja përkrah bisedimet në Bruksel

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet prioritet për Shtetet e Bashkuara. Kështu ka thënë ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit për çështje të Evropës dhe Azisë, Philip Reeker në një tele-konferencë me gazetarë.

“Siç e dini emisari amerikan për dialog, Richard Grenell, është duke punuar që t’u ndihmojë të dyja shteteve që të gjejnë mënyra për të përmirësuar ekonominë e tyre, me fjalë të tjera përmirësimin e jetës e njerëzve e që do të jetë një pjese e rëndësishme që të gjejnë drejtimin në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve e të shkohet drejt arritjes së qëllimit dhe të punojmë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë ai.

Reeker po ashtu i ka ofruar mbështetje Bashkimi Evropian në rinisjen e dialogut, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit special, Miroslav Lajçak, raporton KOHA.

“Janë ndërmarrë disa hapa të mëdhenj, në kuptim të arritjes së marrëveshjes për linjat hekurudhore e ajrore. Ne ende inkurajojmë që të vazhdohet në këtë mënyrë. Është mirë që përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, është duke punuar në rajonin që ai e njeh mirë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim këtë proces dhe të shohim progresin në këtë drejtim”, tha diplomati amerikan.

Reeker ka shtuar se ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd mbeten aktive në procesin e dialogut dhe në bashkëpunim me qeveritë përkatëse synohet të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve.