Arbëri

Vuçiq: I kuptoj shqiptarët që thonë se Kosova është e pavarur, por provoni të hyni në këpucët tona

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një deklaratë për media në Brdo-Brione, ka thënë se bashkë me presidentin maqedonas, Gjorgje Ivanov, kanë shkëmbyer “fjalë të rënda e të mprehta me përfaqësuesit shqiptarë”, duke aluduar në presidentët Hashim Thaçi e Bujar Nishani, por kjo, sipas tij, është më mirë sesa që gjëra të tilla të transferohen në rrugë.

Vuçiq ka thënë se nuk kujton një debat më të ashpër e më të vështirë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, por se, së bashku me Ivanovin, në mënyrë të qartë “ka treguar të vërtetën për sjelljen e njerëzve nga Prishtina dhe për avokimin për ‘Shqipëri të Madhe’”, shkruan Tanjug.

“Kanë provuar të thonë se këto janë shpikje të Beogradit dhe më duhet të them se presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov në plotëni i ka mbështetur të gjitha argumentet që i kam shpalosur dhe ka qenë shumë i ashpër, sa që dikujt i është dukur sikur kemi krijuar një bllok mes Serbisë e Maqedonisë kundër dy përfaqësuesve shqiptarë, gjë që s’ka qenë e vërtetë”, ka thënë Vuçiq, i cili më parë ka thënë se në paqe do të punojë çdo ditë, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se ia ka dalë që të mbrojë Serbinë dhe se serbët që ishin të pranishëm ishin shumë krenarë.

“Fillimisht u akuzuam se jemi kundër Evropës sepse nuk e njohim Kosovën dhe insinuata të tilla të shumta dhe pastaj unë u përgjigja ashpër dhe citova gjithçka që thanë ata. Madje provuan të thonë se ky është një trillim i Beogradit, paramendoni, gjithë ato deklarata të tyre në lidhje me Maqedoninë, ‘Shqipërinë e Madhe’ e gjithçka tjetër. Është folur gjithçka dhe shumë prej tyre të pavërteta, por mbi të gjitha e ka demantuar Ivanovi, por edhe unë kam thënë gjithçka. Nuk dua të humb në biseda të tilla”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Sipas tij, është mirë që debati ka qenë i mprehtë dhe i hapur sikurse që ka thënë se ka nevojë “për shumë përpjekje për investime në mënyrë që të gjithë në Evropë dhe në botë ta kuptojnë qëndrimin e Serbisë”.

“Dhe sot u kam thënë se ne e kuptojmë që shqiptarët e konsiderojnë Kosovën të pavarur, por se ata duhet të hyjnë në këpucët tona dhe të kuptojnë se Serbia nuk e konsideron Kosovën shtet të pavarur dhe për këtë nuk ka kurrfarë pajtimi”, u shpreh Vuçiq.

Ai ka shtuar se më e rëndësishmja është që të gjithë të kuptojnë se problemet duhen zgjidhur me dialog.