Arbëri

​Vitia dhe Ismaili s’i përgjigjen Zemajt, dy ish-ministra tjerë marrin pjesë në Bordin Këshillues

Ka nisur takimi i Bordit Këshillues për COVID-19, që njëherësh është edhe takimi i parë i këtij bordi që pas themelimit.

Ky Bord udhëhiqet nga mikrobiologu Lul Raka, ndërsa është duke marrë pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj. Pjesë e takimit përveç anëtarëve të bordit, janë edhe dy ish-ministrat e Shëndetësisë Imet Rrahmani dhe Ferid Agani.

Zemaj, ditë më parë kishte njoftuar se bordi do të ftonte katër ish-ministrat e fundit në takim, por që sot nuk janë parë dy të fundit Arben Vitia i LVV-së dhe Uran Ismaili i PDK-së.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, në takimin e parë të këtij Bordi,  Zemaj ka thënë se përmes formimit të këtij trupi, Ministria ka dashur që të adresojë nevojën për të pasur informacione dhe këshilla profesionale rreth Covid-19 për një përgjigje sa më adekuate ndaj situatës me këtë sëmundje në Kosovë.

Ai tha se Bordi do t’i ofrojë Ministrisë së Shëndetësisë këshilla në funksion të përmirësimit të shëndetit publik, parandalimit të sëmundjeve fizike dhe mendore të popullatës.

“Në hapat e mëtejmë pa dyshim që na duhen vendime të cilat mbështeten në dëshmi, ndërsa në këtë aspekt këto këshilla na duhen në të gjitha segmentet, duke përfshirë aspekte që kanë të bëjnë prej hulumtimit e diagnostikimit të rasteve e deri te trajtimi klinik i tyre, që sot për sot, paraqet sfidën me të madhe, duke qenë që numri i atyre që janë në spitalizim, apo atyre që do të mund të kërkojnë në të ardhmen tretman spitalor, është i lartë”, është shprehur Zemaj.

Kryesuesi i Bordit këshillëdhënës Lul Raka tha se tha në kohë pandemie, çdo veprim që duhet të merret duhet të këtë bazë shkencore, ndërsa profesionistët shëndetësor kanë përgjegjësinë që t’i përgjigjen thirrjes për të kontribuar.

“Veprimi ynë i përbashkët do të jetë që mos t’i sulmojnë njerëzit, por ta sulmojnë armikun e përbashkët që në këtë kohë është virusi”, ka thënë Raka.

Njoftohet se anëtarët e tjerë të Bordit kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të përdorin përvojat e tyre dhe përgatitjet profesionale, me qëllim që institucionet të këshillohen për të sjellë vendime të drejta ta cilat do të kenë ndikim në ruajtjen e shëndetit publik të popullatës nga Covid-19.

“Bordi do të përgatisë të dhëna dhe këshilla për segmente të ndryshme rreth pandemisë, me qëllim që MSh-së t’i ofrojë këshillat në kohë reale për të sjellë vendime të cilat i përgjigjen situatës aktuale dhe parashikimeve të ndryshme rreth Covid-19”, thuhet tutje në njoftim.