Arbëri

Kryetarët e Gjykatave kërkojnë seanca gjyqësore “online”

Foto: Alban Bujari / KD

Asambleja e kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve mbikëqyrës ka mbajtur të hënën takim, ku ndër të tjera është kërkuar që seancat gjyqësore të mbahen përmes platformave “online”.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Takimin e organizuar përmes video-konferencës, e ka udhëhequr kryesuesi, Bashkim Hyseni. Është diskutuar për pika të shumta.

Është njoftuar se Akademia e Drejtësisë është duke vazhduar mbajtjen e trajnimeve online, me gjithë situatën e krijuar nga pandemia. Lidhur me ekzekutimin e dënimeve të kundërvajtjes, është thënë se ligji ka krijuar konfuzitet dhe mos përmbarimi i gjobave po sjellë probleme në ekzekutim të këtyre lëndëve.

Për lëndët e shënjestruara është thënë se duhet të vazhdohen.

“Në fund të këtij takimi, kryetari Hyseni u kërkoi kryetarëve të gjykatave që në rrethanat e pandemisë të fillojnë me platformën online edhe në procedurat civile”, thuhet ndër të tjera në njoftim.