Arbëri

Zemaj themelon Bordin Këshilldhënës për Luftën kundër Covid-19, Raka kryesues

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Mikrobiologu Lul Raka është emëruar kryesues i Bordit Këshilldhënës për Luftën kundër COVID-19, i themeluar nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Zemaj ka shkruar në Facebook se në këtë bord 11-anëtarësh ka mjekë, studiues, shkencëtarë dhe profesionistë të fushave të ndryshme.

“Këta vijnë nga fusha të ndryshme si: epidemiologjia, mikrobiologjia, praktika klinike, shëndetësia publike, shkenca e sjelljes, menaxhimi i krizave, mbrojtja civile, komunikimi, ekspertë vendor dhe ndërkombëtar”, shkruan ai.

Bordi, si ka thënë Zemaj, do t’i ofrojë ministrisë së tij këshilla të shpejta profesionale, me azhurnime të risive shkencore, opinione, parashikime, formulime të masave të reagimit, identifikim të mangësive për të menaxhuar dhe parandaluar përhapjen e Covid19, rekomandime të masave dhe politikave për adresimin dhe zvogëlimin e pasojave afatmesme dhe afatgjata të Covid19.