Arbëri

​Në Shqipëri regjistrohen edhe 82 raste të reja dhe një viktimë nga Covid-19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 331 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 82 raste pozitive.

Në 24 orët e fundit, nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen një 69-vjeçare nga Shkodra, e shtruar në gjendje të rëndë, me gjithë trajtimin dhe përpjekjet e mëdha të stafit mjekësor.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 123 pacientë, 17 në terapi intensive dhe 1 pacient është i intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 32 raste në Tiranë, nga 7 raste në Kavajë, Fier, 5 në Korçë, nga 4 raste Shkodër, Durrës, Elbasan, nga 3 raste në Krujë, Kurbin, nga 2 raste në Lezhë, Vlorë, Mirditë, Dibër, dhe nga 1 rast në Has, Lushnje, Mallakastër, Kukës, Ura Vajgurore.

Ndërkohë do të vijojë kryerja e testeve serologjike për personelin shëndetësor, dhe një kampionim i popullatës do të kryhet nga Instituti i Shëndetit Publik.

Deri më tash në Shqipëri janë konfirmuar 4090 raste me koronavirus, prej tyre 2311 janë të shëruar, 1667 janë raste ende aktive dhe 112 persona kanë vdekur.