Arbëri

145 raste të reja me COVID-19 në Kosovë, 6 të vdekur

Foto: Alban Bujari / KOHA

145 raste të reja me COVID-19 janë konfirmuar në Kosovë në 24 orët e fundit.

Ndërkohë kanë vdekur gjashtë pacientë me COVID-19, që kishin edhe sëmundje shoqëruese. Numri i të vdekurve ka arritur në 130.

Kjo është bërë e ditur të shtunën pasdite në konferencën për shtyp që përgjegjësit mjekësor e kanë mbajtur në Vushtrri.

Janë testuar 562 mostra, që është rekord në Kosovë për testimet e bëra brenda një dite. Numri i të shëruarve ka tejkaluar numrin e rasteve të reja. Janë shëruar 171 pacientë.

Për raste të reja prin Prishtina me 58 raste. Gjilani i ka 17 raste, Ferizaj dhjetë. Raste ka pasur edhe në Fushë Kosovë (9), Vushtrri (8), Pejë (6), Mitrovicë (6), Skënderaj (6), Prizren (4). Në Suharekë, Kaçanik, Drenas e Viti janë nga tri raste, në Lipjan, Kamenicë e Podujevë nga dy raste kurse në Istog, Obiliq e Partesh nga një rast.

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në vend ka shkuar në 5617. Numri i të shëruarve është 2811 kurse numri i rasteve aktive 2676.