Arbëri

Pas numërimit të mbi 90% të votave, në Maqedoninë e Veriut prijnë LSDM dhe BDI

Descriptive Text

Partia maqedonase Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe ajo shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) janë në epërsi nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të mbajtura të mërkurën në kushte pandemie.

Nga përpunimi i 93.96 për qind të vendvotimeve, LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev ka fituar 36.13% e pasuar nga VMRO DPMNE e Hristijan Mickovskit me 34.65%.

Nga partitë shqiptare, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, BDI ka siguruar 11.57 për qind të votave kurse opozita e drejtuar nga koalicioni Aleanca dhe Alternativa kanë marrë 8.79 për qind të votave. Partia e krahut të majtë “Levica”, ka fituar 3.96% për qind të votave, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit 1.48% për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve Zoran Zaev (LSDM) do të fitojë mandatin për të formuar një qeveri të re.

Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Lupço Nikollovski shpalli fitoren e koalicionit “Mundemi”, me së paku dy deputet më shumë se VMRO DPMNE-ja.

“Fitore, Fitore. Nga rezultatet e përpunuara kemi arritur fitore të pastër në zgjedhjet më të mira të mbajtura deri më tani. Fitorja jonë mund të jetë edhe më e madhe deri në fund të numërimit të votave”, ka deklaruar Nikollovski

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se fitorja e partisë së tij në këto zgjedhje, është fitore e të gjithë shqiptarëve.

“Me këtë fitore të BDI-së kanë fituar shqiptarët dhe nuk ka humbur askush sepse ne u jemi dalë zot të vërtetë ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Jemi fitues absolut të zgjedhjeve”, ka deklaruar Ahmeti.

Fitore në disa qytete ka shpallur edhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, por ato kanë akuzuar pushtetin për parregullsi të shumta zgjedhore, në disa fshatra të Shkupit dhe në rajonin e Likovës.

“Përkundër presioneve të shumta dhe frikësimit të votuesve, ne presim fitore nga këto zgjedhje”, ka deklaruar Zijadin Sela.

Në zgjedhje kanë marrë pjesë 15 parti politike dhe koalicione ndërsa nga gjashtë njësitë zgjedhore, do të zgjidhen nga 20 deputetë apo 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Në zgjedhjet që kanë zgjatur deri në orën 21.00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 51 për qind nga 1.8 milion qytetarë më të drejt vote.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, procesin zgjedhor e ka vlerësuar të rregullt dhe demokratik, me disa parregullsi të vogla që sipas kryetarit të KSHZ-së, nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

"Mendoj se ne përgjithësi mund të jemi të kënaqur nga pasqyra që kemi për këtë proces zgjedhor”, ka deklaruar kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski.

Procesin zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme, angazhoi rreth 6 mijë forca policore për të siguruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. MPB-ja njoftoi se ka pranuar 11 denoncime për prishje të procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e së mërkurës ishin zgjedhjet e dhjeta parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin më 12 prill, por ato u shtynë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe deri në mbajtjen e tyre vendi është drejtuar nga një qeveri teknike, pjesë e së cilës ka qenë edhe opozita maqedonase.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut ishin paralajmëruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev, që në dhjetor të vitit 2019 pasi ky vend arriti të marrë datën e fillimit të negociatave me Bashkimin Evropian, pavarësisht zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni e Veriut. \ REL