Arbëri

Vazhdon seanca për rishikimin e buxhetit dhe Hoti raporton për situatën me COVID-19

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen serish sot për të vazhduar seancën e mbetur nga java e kaluar lidhur me shqyrtimin e parë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për 2020.

Seanca për rishikimin e buxhetit ishte ndërprerë për shkak të një incidenti mes deputetit të LDK-së, Xhavit Ukaj dhe kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, ku kjo e fundit tha se ishte kërcënuar prandaj ishte detyruar të ndërpresë seancën.

Mosrishikimi i buxhetit nga Kuvendi, sipas qeverisë, po mban peng ekzekutimin e pakos emergjente fiskale ose pagesat prej 170 eurosh për punëtorët, ndihmat për qiratë e bizneseve si dhe masat e tjera të parashikuara në të njëjtën pako.

Vazhdimi i seancës plenare fillon në ora 14:00, ndërsa seanca tjetër plenare është planifikuar dy orë më vonë, me temën e vetme të rendit të ditës - raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë konfirmuar 216 raste të reja pozitive duke çuar totalin në 4.931, prej tyre 102 të vdekur, 2.267 të shëruar, ndërkohë që 2.562 raste janë ende aktive.