Arbëri

Haxhiu: Vettingu s’ka alternativë

Ish-Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dorëheqjen e ekspertëve, të mërkuren, nga grupi punues për vettingun e kishte parë të detyrueshme, përderisa vetë ky proces nuk ka alternativë.

“Iniciativat e mira dhe në interes të qytetarëve do të shtyhen përpara, sapo të kthehet legjitimiteti i Kuvendit dhe i Qeverisë së Kosovës. Si e kam thënë vazhdimisht, procesi i vettingut nuk ka alternativë e as për qëllim hakmarrjen ndaj askujt. Është interes edhe i njerëzve të mirë dhe e di se ka të tillë brenda sistemit të drejtësisë. I njëjti do të shtyhet para pavarësisht vonesave e pengesave që po i bëhen”, ka thënë Haxhiu, gjatë një konference shtypi, të enjten.

Paralajmërimi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, se në procesin e reformës në sistemin e drejtësisë do të përfshihen edhe zyrtarë të këtij sistemi, ka bërë që shtatë anëtarë të grupit punues për vettingun, që ishte themeluar nga Qeveria e Albin Kurtit, të mërkurën të japin dorëheqje.

Sipas tyre, Ministria ka vendosur që në grup të fusë edhe aktorët kryesorë të cilët do të duhej ishin subjekt i procesit të vettingut. Ehat Miftaraj, njëri prej të dorëhequrve, kishte thënë se me propozimin për zgjerimin e grupit, çdo iniciativë e tyre do të mbivotohej nga vetë anëtarët e sistemit të drejtësisë.

“Dorëheqja e djeshme e anëtarëve të grupit të ekspertëve padyshim nuk ishte lajm i mirë, sepse të njëjtit për katër muaj kanë punuar me zell dhe pa kompensim financiar. Është e dhimbshme shkelja e një pune të mirë që nisi. Por, dorëheqjen e pashë të detyrueshme sepse në vend që ministri aktual të takohej e të tregonte përkushtim për këtë proces e të linte anëtarët e grupit të përfundonin punën pa ndikim, ai vendosu t’ua shtojë grupit të ekspertëve edhe 20 anëtarë tjerë e ku shumica ishin përfaqësues të institucioneve të drejtësisë”, ka deklaruar ish-ministrja Haxhiu.

Haxhiu, në konferencën e shtypit, të enjten, po ashtu e ka paraqitur rrjedhën e zhvillimeve lidhur me vettingun.

“Më 28 shkurt të këtij viti, Qeveria Kurti, në përputhje me programin qeverisës, mori vendim për themelimin e grupit të ekspertëve të pavarur për dizajnimin e parimeve udhëheqëse dhe elementet e reformës të vettingun në sistemin e drejtësisë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka thënë se rrjedhimisht, ishin përzjgedhur një grup ekspertësh me prapavijë akademike dhe të shoqërisë civile, për të iniciuar këtë proces.

“Anëtarët e grupit të ekspertëve ishin figura të njohura e pakontestuara në asnjë drejtim. Si Ministre e Drejtësisë nuk e nisa vet procesin e vettingut. Atë ia besova një grupi personash që kishin një CV të begatë angazhimi serioz e avokimi kundër korrupsionit e krimit në jetën publike… Aludimi i Ministrisë së Drejtësisë se kinse anëtarët e grupit janë të një partie politike, është e dëmshme dhe e papranueshme. Si Ministre e Drejtësisë nuk kam tentuar në asnjë formë të ndikojë në punën e grupit, madje qëllimisht nuk ka pasur në grup përfaqësim të kabinetit tim e as ministrisë e qeverisë”, ka thënë ajo.

Përveç Miftarajt janë dorëhequr edhe Ariana Qosaj - Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi. Anëtarë të këtij grupi kanë qenë edhe profesorët Qerim Qerimi, Avni Puka e Visar Morina. KOHA nuk ka arritur që të kontaktojë me dy të parët, ndërkohë që Morina përmes telefonit ka thënë se edhe ai nuk është më pjesë e këtij grupi.