Arbëri

Hoti në Paris, takon Macronin

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në pallatin “Elize” të Parisit. Takimi mes tyre ka nisur në orën 11:30.

Këtë e ka konfirmuar për “Kohën” këshilltari për media i kryeministrit, Xhavit Beqiri.

Në lidhje me temat e diskutuara ku vend qendror zë dialogu Kosovë-Serbi, Beqiri ka thënë se do ta lëshojnë një komunikatë për media.

Hoti të marten ka publikuar pamje në Facebook, të pritjes së tij nga i pari i Francës.

Takimi Hoti-Macron ishte paralajmëruar të hënën nga kryeministria.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e tij Avdullah Hoti do të udhëtojë sot për në Paris, ku nesër, më 7 korrik 2020, do të takohet me Presidentin e Republikës së Francës, Shkëlqesinë e tij Emmanuel Macron. Pritja zyrtare që bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize (Palais de l’Elysée) në Paris, Pallati presidencial i Francës, tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”, shkruante në njoftimin e kryeministrisë.

E nga BE-ja ishte bërë e ditur se të premten në Paris do të zhvillohet një “samit virtual” mes Kosovës dhe Serbisë.

Dy ditë më vonë, të dielen, në Bruksel do të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që, sipas BE-së, do të shënojë edhe rifillimin e dialogut për normalizimin gjithpërfshirës të raporteve.