Arbëri

KMDLNJ kërkon votimin urgjent të ligjit kundër COVID-19

KMDLNJ u ka bërë thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake e të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e të gjithë qytetarëve, që të votojnë ligjin kundër COVID-19, duke thënë se është momenti i fundit të veprohet në të mirën për qytetarin.

Votimi i ligjit antiCOVID-19 ishte iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, por për shkak të mospajtimeve politike, ai u bllokua duke ndikuar në jetën dhe shëndetin e qytetarit.

E kjo ka shtyrë KMDLNJ-në që t’iu drejtohet me thirrje të veçantë legjislativit për miratimin e tij sa më të shpejtë të këtij ligji, në kohën kur numri i rasteve të reja me koronavirus po shënon rritje.

“Po të ishte votuar me kohë ligji antiCOVID-19, sot do ta kishim një bazë ligjore që do ta bënte më efikase luftën kundër pandemisë dhe pasojat do të ishin më të vogla. Për KMDLNJ-në është e pakuptueshme që qeveria po e pret datën e fundit të 11 korrikut në vend se të veprojë me urgjencë dhe në përputhje me situatën e krijuar ku seriozisht po rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës, me pasoja shumë më të rënda”, thuhet në reagim.

Qeveria Hoti, për shkak të përshkallëzimit të pandemisë dhe pasojave të rënda për jetën e qytetarit, rivendosi së fundi kufizimet e lëvizjes në katër qytete të cilat prijnë me numrin më të madh të rasteve me COVID-19: Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria.