Arbëri

Serbia në krah të nacionalistëve, ndalon Jahjagën në Beograd

Descriptive Text

Organizata nacionaliste serbe “Zavetnici” ka shpallur fitoren ndaj festivalit “Mirëdita, dobar dan!”, që ata e quajnë properëndimor. Ata kanë konsideruar si arritje të tyre ndalimin e ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që të hyjë në Serbi.

Ajo ishte e paraparë që të premten të jetë pjesë e promovimit të librit, i cili sjell rrëfime për gratë viktima të luftës së fundit në Kosovë, “Unë dua të dëgjohem”.

Megjithatë, ani pse Jahjaga nuk ishte e pranishme në promovim, ajo u paraqit me një videomesazhi para të pranishmëve që ishin mbledhur në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd, shkruan sot Koha Ditore.

Mirëpo para se kjo ngjarje të fillonte, rreth 20 persona nga organizata “Zavetnici” u grumbulluan para dyerve të Qendrës me pano, në të cilën shkruhej “For Ramsey’s next goal let it be Haradinaj!”. (Për golin e radhës së Ramseyt, le të jetë Haradinaj!). Derisa me një pano ku shkruhej “Urrejtja është turp”, i janë kundërpërgjigjur protestës organizatorët e festivalit.

Protestuesit kanë kënduar vazhdimisht këngën “Kosova është zemra e Serbisë”.

“Ja ku jemi para Qendrës për Dekontaminim Kulturor, e cila synonte t’i bënte nikoqirllëk ish-presidentes të së ashtuquajturës Kosovë, Atifete Jahjaga, me qëllim të përuljeve të popullit serb dhe të krejt Serbisë”, ka thënë Milica Gurgjeviq, anëtare e kryesisë së organizatës “Zavetnici”, tek ka shtuar se janë mbledhur që të kërkojnë që në të ardhmen të ndalohen festivale të tilla.

“Duke iu falënderuar përkrahjes së madhe të shumicës në Serbi, e cila nuk lejon që të poshtërohet, i kemi mundur edhe një herë organizatat properëndimore, krejt ato miliona që derdhen nga fondet e tyre dhe kemi treguar se Serbia është vend i njerëzve krenarë që duan të jetojnë në paqe, por nuk lejojnë që t’i poshtërojnë e para syve tanë të ndërrohet historia... Veçmas nuk lejojmë që të fajësohemi për krimet që nuk i kemi kryer”, ka shtuar Gurgjeviq në deklaratën e saj drejtuar mediave. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.