Arbëri

Boltoni thotë se ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë u shty përpara nga vetë palët

Shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e marrëveshjes finale është shtyrë dhe promovuar nga liderët e të dyja vendeve.

Kështu ka thënë John Bolton, ish-këshilltar për siguri i presidentit amerikan Trump, sipas të cilit ky opsion mori hov në fillim të vitit 2018.

Kjo është periudha kur presidenti i Kosovës, Thaçi, kishte zhvilluar disa takime me homologun serb, Vuçiq, pas të cilave e lansoi idenë për korrigjim të kufijve, raporton KOHA.

“Një nga gjërat që do të diskutonim ishte shkëmbimi i territoreve, por në Ballkan dhe Evropë u prit me kundërshtime për shkak të frikës se shkëmbimi i territoreve atje mund të ndodhte edhe në Evropë apo diku tjetër. Kjo ka ndodhur në histori, diçka me të cilën duhet të jetoni, ta pranoni. Nëse Kosova dhe Serbia do kishin arritur marrëveshjen, dhe do të ishte një pjesë e saj ndërrimi i tokave, dhe një pjesë e BE do ishte kundër dhe do e kundërshtonte vallë? Kjo nuk do ndodhte dhe do të mund ta hidhnim poshtë. Pra jemi shumë larg asaj, ka edhe pengesa, shumë rrugë deri në arritjen e marrëveshje. James Beker dikur pati thënë se vetëm palët mund të arrijnë paqe të qëndrueshme, dhe ne duhet të jemi lumtur t’iu ndihmojmë”, ka thënë Bolton.

Më 26 gusht të vitit 2018, presidenti Thaçi, në forumin Alpbah me liderët e Ballkanit Perëndimor, kishte folur hapur për ndryshim kufijsh në Ballkan.

“Kemi diskutuar për pesë vite me presidentin Vuçiq dhe tani kemi vendosur që të eksplorojmë çdo opsion të mundshëm. Nga perspektiva ime, përfshirë korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të bëhen përpjekje për arritjen e marrëveshjes. Vendet e rajonit dhe të tjerët nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse ajo marrëveshje implikon korrigjim të kufijve”, kishte thënë ai.

Në të njëjtën vijë ishte edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili madje e sugjeronte Thaçin të mos thotë asgjë, derisa ai përsëriste se është në favor të korrigjimit.

Thaçi po ashtu insistonte se nuk janë “djem problematikë”, teksa ndërkombëtarëve u kërkonte mos t’i pengojnë në finalizimin e marrëveshjes.

Dy vjet më vonë do të tentohej arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e SHBA-së. Por, takimi i planifikuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë dështoi, pasi prokurori i Gjykatës Speciale e bëri publike aktakuzën ndaj presidentit Thaçi.

Kundër tij dhe disa të tjerëve rëndojnë dyshime për rreth 100 vrasje të paligjshme.

Njohës të rrethanave thonë se pikërisht në vitin 2018 ndodhi kthesa e madhe ku ideja që tradicionalisht është shtyrë nga Serbia të bëhet e pranueshme edhe për Kosovën.

Përkundër zhvillimeve të reja, emisari amerikan, Richard Grenell, ka bërë të ditur se nuk do t’i ndalë përpjekjet për t’i çuar palët drejt marrëveshjes. Ai ka mohuar se në agjendë janë opsionet që implikojnë ndryshim kufijsh.

Teksa ka fajësuar Boltonin se për shkak të tij i është dashur t’i luftojë thashethemet për shkëmbim territoresh, Grenelli ka thënë se në fokus kryesor do të jetë marrëveshja për zonë të përbashkët ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Donika Emini nga CiviKos thotë se diskutimet për kufijtë e kanë dëmtuar procesin e dialogut dhe pasojat do të ndihen edhe në fazën e ardhshme.

Sipas Eminit, rrethanat që çuan në pezullimin e përkohshëm të dialogut pas komunikatës së Speciales kanë krijuar mundësinë për të ndalur një agjendë, e cila nuk ishte e njohur për Kosovën.