Arbëri

Kremtohet Vidovdani në Gazimestan, dy të arrestuar

Edhe këtë 28 qershor, dhjetëra serbë pa maska e pa respektuar distancën fizike, janë mbledhur në Gazimestan për të festuar Vidovdanin.

Kjo festë të cilën serbët e kremtojnë me rastin e përvjetorit të Betejës së Kosovës, as këtë vit nuk ka kaluar pa incidente, raporton KOHA.

Shkaku i provokimeve të vazhdueshme, dy persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës e të cilët janë liruar më pas.

Para të pranishmëve Peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije Shibaliq, ka thënë se pas luftës me turqit, tani kanë një luftë tjetër, me ata që nuk i duan në Kosovë.

“Shën Princ Llazari e dha jetën pikërisht në këtë vend për Jezusin, për fenë, dhe për të shenjtën Kosovë dhe Metohi. Për të qëndruar në këto troje, për të ruajtur këtë tokë të shenjtë të larë me gjak, ne vërtetojmë premtimin tonë. Sot jemi të bekuar këtu ndoshta në numër më të vogël, dikur kemi luftuar këtu me turqit, tash kemi një luftë tjetër, ka shumë prej atyre që nuk na duan në këto troje, mirëpo nuk do të dorëzohemi, por do të qëndrojmë, jo aq me fuqinë tonë, por me fuqinë e Zotit, dhe me fenë tonë”, ka thënë ai.

E në Gazimestan u mblodhën jo vetëm serbë nga Kosova, por pati edhe qytetarë që kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të Serbisë.

“Është dita kur perandori Llazar vendosi që ne të bëhemi Serbi qiellore. Ai është viktimë, e dha jetën për qëllime më të mëdha”, ka thënë Mirolub Filipoviq nga Beogradi.

“Paraqet një prej festave më të rëndësishme dhe datë më të rëndësishme në historinë tonë. Është dita kur të gjithë kujtojmë se si paraardhësit tanë vdiqën, në mënyrë që ne të mund të ndërtojmë të ardhmen”, Slobodan Stanisavljeviq, Uglarë.

Këtë vit, përmes kremtimit të Vodovdanit serbët shënuan përvjetorin e 631-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore, pavarësisht humbjes dhe vrasjes së princit serb, Llazar.