Arbëri

​OAK kërkon shtyrje edhe për 3 muaj të kredive dhe tatimeve

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ka shprehur shqetësimin pas konfirmimit që Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka bërë për mos shtyrjen e pagesave të kësteve të kredive edhe për tre muaj të tjerë.

OAK ka kërkuar nga Banka Qendrore dhe Qeveria e Kosovës që të anulohet ky vendim dhe të shtyhen kreditë dhe tatimet edhe për 3 muaj si rezultat i gjendjes së rëndë në të cilën është biznesi dhe punëtorët nga mospërkrahja e mjaftueshme nga shteti.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) konsideron që një vendim i tillë e sidomos në këtë periudhë pandemike, vështirëson operimin e mëtutjeshëm të bizneseve, meqenëse deri vonë disa kanë funksionuar me kapacitete të reduktuara e të tjerat kanë pasur të ndaluar ushtrimin e veprimtarisë, gjë që ka ndikuar direkt në zvogëlimin e gjenerimit të të hyrave dhe stabilitetin financiar të operatorëve ekonomik, transmeton KP.

“Gjithashtu, edhe hapja e pjesërishme që është duke ndodhur tani nuk është në nivelin e të hyrave para pandemisë duke punuar shumica me kapacitete të kufizuara e si rrjedhojë edhe me të hyra shumë larg planifikimeve. Kërkesë e bizneseve të cilat janë duke u përballur me vështirësi financiare si pasojë e pandemisë është që shtyrja e kredive dhe tatimeve të iu mundësohet edhe për tre muaj të tjerë, duke u mbuluar pjesa e interesit nga ana e shtetit, ashtu edhe siç ishte premtuar që do të ndihmohen bizneset, praktikë kjo e cila është ndërmarrë edhe në vendet e rajonit”, thuhet në njoftim.

OAK rikujton që efektet e pandemisë në masë të madhe pritet të vihen re pas tejkalimit të saj. Si rezultat i kësaj duhet të ofrohen mekanizma për përkrahje më e madhe të komunitetit të biznesit, në mënyrë që të kenë mundësi për rimëkëmbje, ruajtje të stabilitetit dhe funksionim të rregullt të ekonomisë. OAK kërkon nga Qeveria e Kosovës, Banka Qendrore dhe partitë politike që të punojnë shumë më shumë në përkrahje të bizneseve dhe qytetarëve dhe krijimin e një oferte më të mirë të të bërit biznes në mënyrë që të mund të ruhen vendet aktuale të punës dhe të ketë mundësi të rritjes së punësimit. Për rikujtim janë rreth 30 aplikime për investime strategjike që janë duke pritur me vite aprovimin e tyre.