Arbëri

Ramajli: Deklarata Kushtetuese, busull e lëvizjes paqësore dhe pikënisje e luftës së armatosur

Descriptive Text

Deklarata Kushtetuese, me të cilën më 2 korrik 1990 Kuvendi u përcaktua që Kosova ta ketë statusin e republikës, përbën moment kthese në historinë më të re të vendit, thotë Ilaz Ramajli.

Sipas tij, Deklarata e miratuar tri dekada më parë është shndërruar me kohë në busull të lëvizjes paqësore politike, e gjithashtu ka qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave dhe flijimeve në luftën e armatosur për çlirim.

Ramajli është avokat, ndërsa ka qenë nënkryetar i Kuvendit në përbërjen e vitit 1990, kur ky institucion kishte miratuar Deklaratën Kushtetuese, si kundërpërgjigje ndaj suprimimit të autonomisë që Serbia ia kishte bërë Kosovës.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, Ramajli flet për ngjarjet që i paraprinë nxjerrjes së këtij dokumenti, por edhe për zhvillimet që e pasuan këtë akt.

Ai ka treguar nëse qëllimet e shprehura në Deklaratë janë jetësuar dhe ka dhënë gjykimin e tij edhe për shtetndërtimin në dekadën e pasçlirimit e edhe në atë të paspavarësisë.

Ka shprehur pritjet nga faza finale e dialogut me Serbinë dhe ka treguar se sa ka rrezik që Kosova të dalë keq në ketë proces të dialogut, nisur nga pozicioni që tash ka dhe nga mungesa e një uniteti mes spektrit politik.

KD: Z. Ramajli, çka përbën për ju ngjarja e 2 Korrikut?

Ramajli: Unë besoj se nxjerrja e Deklaratës Kushtetuese më 2 Korrik 1990 shpreh kontinuitetin e vullnetit politik të shqiptarëve që nga luftërat për pavarësi, për çlirim kombëtar dhe për krijim të shtetit sovran, të mishëruara në përpjekjet e parashtruara që të jemi zot të vetvetes, të jetojmë të lirë, të pavarur, e të respektuar. Në themel të Deklaratës së Pavarësisë dhe akteve të tjera që e pasuan më vonë, janë të gjitha format e organizuara dhe spontane të rezistencës shqiptare në të gjitha periudhat e rëndësishme të historisë sonë. Angazhimet për arritjen e këtij qëllimi, gjatë historisë, janë shprehur përmes formave legale dhe ilegale, si në krijimin e organizatave nacionale shqiptare, që angazhoheshin për subjektivitet dhe mëvetësi, ashtu dhe përmes rrugëve legale të avancimit të pozitës së shqiptarëve të Kosovës.

Deklarata e 2 Korrikut u nxor pas një varg ngjarjesh, sa të dhimbshme po aq edhe të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës. Serbia me mjete antikushtetuese dhe me dhunë kishte marrë edhe atë pak autonomi që kishte Kosova sipas Kushtetutës së vitit 1974. Ajo padyshim po përgatitej që ta okuponte Kosovën me të gjitha mjetet që i kishte në dispozicion. Populli i Kosovës kësaj i ishte përgjigjur me demonstrata dhe shprehje të pakënaqësisë në të gjitha format e mundshme për atë kohë.

Kishte filluar organizimi i shqiptarëve të Kosovës në parti të reja të cilat kishin bërë të mundur artikulimin e mirëfilltë të kërkesave dhe vullnetit të popullit. Këto ngjarje, gjithashtu, korrespondonin me një lëvizje të përgjithshme, me një proces që kishte filluar të zhvillohej dhe mund të supozohej se si mund të përfundonte në vendet e ish-bllokut socialist. Edhe në ish-Jugosllavi vëreheshin shenjat e para të fillimit të dezintegrimit të këtij shteti.

Shikuar nga këto rrethana, Kuvendi i Kosovës, si organ legjitim, ishte i obliguar që të respektonte vullnetin e popullit dhe të ndërmerrte veprime dhe vendime të cilat këtij vullneti dhe përcaktimi gjithë popullor t’ia jepte formën juridiko kushtetuese. Nxjerrja e Deklaratës Kushtetuese qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi. Deklarata e pavarësisë e 2 Korrikut u shndërrua me kohë në busull të lëvizjes sonë paqësore politike, por gjithashtu, besoj, ka qenë edhe pikënisje e të gjitha sakrificave dhe flijimeve të luftës së armatosur për çlirim.

Ndjej për obligim të rikujtoj se akti i nxjerrjes së Deklaratës Kushtetuese ka një parahistori.