Arbëri

Zemaj viziton Istogun, njoftohet me sfidat e komunës në menaxhimin e pandemisë

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, ka pritur sot Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, me të cilin bisedoi lidhur me përballjen dhe sfidat e komunës së Istogut me Virusin Covid 19. Ministri u njoftua nga afër për gjithë angazhimin që Shtabi Emergjent për Parandalimin e Virusit Covid-19 në Istog ka bërë në përballjen e pandemisë.

Rugova tha se ai dhe Shtabi Emergjent për Parandalimin e Virusit Covid-19 në Istog, ka punuar vazhdimisht çdo ditë si ekip dhe se kanë qenë në kontakt të përhershëm me Ministrinë dhe organet tjera përgjegjëse. Ai po ashtu tha se angazhimi për parandalimin e këtij virusi do të jetë i vazhdueshëm si për të menaxhuar rastet me Covid-19 po ashtu edhe për të parandaluar përhapjen e tij.

Ndërkaq ministri Armend Zemaj, përgëzoi kryetarin dhe Shtabin Emergjent për Parandalimin e Virusit Covid-19 në Istog për punën dhe angazhimin e tyre në luftë ndaj pandemisë. Ai tha se komuna e Istogut është njëra ndër më të suksesshmet sipas statistikave dhe ngjarjeve që janë zhvilluar për luftimin dhe menaxhimin e kësaj pandemie

Delegacioni qeveritar i shoqëruar edhe nga kryetari Haki Rugova dhe ambasadori Turk në Kosovë, Cagri Sakar vizituan QKMF-në në Istogut ku me këtë rast u bë edhe përurimi i renovimit të repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, donacion nga KFORI Turk në Kosovë.