Arbëri

Ministria e Infrastrukturës kampione e pagesave të jashtëligjshme dhe parregullsive në prokurim

Foto: Arkiv/Ilustrim

Shkelje të shumta ka gjetur Zyra e Auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2019 në Ministrinë e Infrastrukturës, në kohën kur është drejtuar nga ish-ministri Pal Lekaj. ZKA-ja në njërin nga raportet më voluminoze të publikuara ka prezantuar 19 gjetje.

Ndër të tjera, raporti flet për projekte të pranuara pa përfunduar ende, për borxhe kontingjentale mbi 20 milionë euro dhe për mënyrën se si paguhen avancat. Njëra nga shkeljet që zë vend të rëndësishëm në raport ka të bëjë me pagesat shtesë për një numër të madh zyrtarësh.

“Shtesat mbi pagën bazë janë aprovuar me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm (SP), duke anashkaluar bazën ligjore mbi ndarjet buxhetore. Pagesat ishin ekzekutuar nga kategoria e Mallrave dhe Shërbimeve. Vendimi për aprovim të shtesave bazohet në Rregulloren për Administrimin e Fondeve të Huamarrjes, edhe pse në disa raste të punësuarit nuk ishin pjesë e Njësive për Zbatimin e Projekteve (NjZP)”, thuhet në një nga gjetjet e ZKA-së.

Me vetëm dy pagesa të testuara, ZKA-ja ka konstatuar se në kundërshtim me ligjin janë shpenzuar rreth 70 mijë euro. Në dy pagesa të ndryshme, sipas raportit, MI-ja nuk ka ofruar dëshmi sa persona të angazhuar kishin kontrata. Menaxheri i autostradës Prishtinë – Gjilan ishte paguar rreth 20 mijë euro shtesë.

“Në dy pagesa të testuara, kemi vërejtur se pagesa është ekzekutuar bazuar në vendimin e datës 15.09.2014. Pagesat ishin në vlerë 36,616€ dhe 27,468€. Megjithatë, MI-ja nuk ka ofruar dëshmi se të angazhuarit, në pajtim me vendimin, kishin kontratë të veçantë për angazhimin në NjZP. Menaxheri i Autostradës Prishtinë- Gjilan ishte paguar rreth 20 mijë euro shtesë”, thuhet në raportin e ZKA-së.