Arbëri

Presidenca: EULEX-it i ka skaduar mandati

Më 14 qershor, misionit të EULEX-it i ka përfunduar mandati në Kosovë.

Pas më shumë se 12 vjetëve prezencë në vend, tashmë, sipas Presidencës, EULEX-i nuk është i nevojshëm.

“Tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, sikur që është rasti në vendet e rajonit. EULEX-i tashmë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë” thuhet në përgjigjen e Zyrës së presidentit dhënë KosovaPressit.

Por aty shtohet se nuk ka pasur shkëmbim të letrave me BE-në për vazhdim ose jo të mandatit, por e shohin të udhës që prezenca e Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit të reduktohet.

Por në një përgjigje për KOHËN, Zyra për media e misionit evropian për sundim të ligjit ka bërë të ditur që janë në kontakt me institucionet kosovare dhe me shoqërinë civile për të vendosur për të ardhmen e këtij misioni, ndërkohë që vazhdimin e mandatit e shohin të nevojshëm për Kosovën.

“Është e rëndësishme që mbështetja dhe asistenca jonë, përfshirë edhe me EULEX-in, në fushën e sundimit të ligjit të vazhdojë. Sundimi i ligjit është gur themeli i angazhimit të BE-së në Kosovë dhe një kriter themelor për perspektivën e saj në BE” thuhet në përgjigjen e Zyrës për media të EULEX-it.

Por, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi gjithë këtë lëvizje po e sheh të lidhur me punën e Gjykatës Speciale.

Në 2018-n misioni ekzekutiv i EULEX-it u ndryshua, për të kaluar në mision këshillëdhënës.

Kjo, pasi që nga autoritetet në Kosovë u vlerësua se ky mision ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar se aferat e shumta për korrupsion brenda këtij misioni dhe rezultatet e pakta në luftën kundër krimit të organizuar e dëmtuan në masë të madhe kredibilitetin e tij.