Arbëri

Konjufca për propozimin e Grenellit: S’mund të jetë ekonomia para politikës

Glauk Konjufca, nga radhët e Vetëvendosjes, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se s’mund të jetë ekonomia para politikës.

I dërguari special i Donald Trumpit për dialogun Kosovë – Serbië, Richard Grenell, ka paralajmëruar se në dialog do të arrihen marrëveshje ekonomike, duke krijuar një zonë ekonomike në veri të Kosovës si Shenzheni në Kinë.

Por, sipas Konjufcës në situatën aktuale një gjë e tillë nuk mund të bëhet në veri, pa pasur zgjidhje politike së pari.

“Është qasje e re që të vendoset ekonomia para politikës. Por, ne që jetojmë në këtë rajon jemi të vetëdijshëm me faktin se sa e vështirë është kjo. Mendoj se është princip universal se politika dhe stabiliteti politik, është demokracia dhe fuqia e demokracisë, është qëndrueshmëria e institucioneve, nënkuptohet sundimi i ligjit, meritokracia. Shoqëritë politikisht stabile i hapin rrugë ekonomisë së zhvilluar”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se në një rajon si Kosova, po flasim për veriun e Kosovës, kjo është shumë e ndërlikuar për arsye se nuk është zgjidh problemi politik.

“Pra, politika është e para. Për arsye se ne nuk mund t’i mbyllim sytë ndaj problemeve politike. Psh, problem politik i madh për të cilin as Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë kontribut që ai të zgjidhet është prania e strukturave të paligjshme të Serbisë në atë pjesë të Kosovës. Pjesa e veriut është edhe një parajsë e krimit të organizuar, pra kontrabanda në Kosovë mund të themi se zhvillohet çdokund deri në një masë. Por, veriu i Kosovës është kryeqyteti i kontrabandës në Kosovë, sa i përket kontrabandimit të mallrave të ndryshme, zhvillimit të aktivitetit të kontrabandës për shkak të pranisë më të vogël të institucioneve të sigurisë atje dhe për shkak që bandat e krimit të organizuar atje, të cilat mund të argumentohet që kanë lidhje edhe me politikën në Serbi drejtpërdrejtë”, ka thënë Konjufca, që ka shtuar se ata janë eksponentë të lidhur me partinë e Vuçiqit, apo me partinë e Daçiqit, apo me partinë e Vulinit.

“Ata operojnë dhe e bëjnë ligjin ndonjëherë edhe në pjesën e veriut të Kosovës. Duke e pasur parasysh këtë gjë, unë mendoj që le të themi një zonë ku do të lulëzonte ekonomia atje është plotësisht e pamundshme, në kushtet aktuale”, shprehet ai.

Por, çfarë duhet të bëhet atje, sipas Konjufcës.

“Së pari duhet të pajtohemi që ajo pjesë është e Kosovës, dhe nuk mjafton që të pajtohemi që ajo pjesë është e Kosovës që vetëm doganat të funksionojnë atje. Duhet të funksionojnë institucionet e Republikës së Kosovës atje, të gjitha, dhe paprobleme sa i përket qasjes, që e dimë se nuk ekziston”, thotë Konjufca. “Duhet të përpiqemi t’i dekonstruktojmë shtresat sipas rendit të tyre”.

E para shtresë, sipas tij, është ajo e involvimit të Serbisë, e cila është penguese për funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, kjo është e para dhe qenësore.

“Pra, tash nuk mund ta zbulojmë një zonë ekonomike, me kompani që vijnë dhe pikin nga qielli dhe do të vijnë të investojnë miliarda. Dhe kjo pjesë e veriut të Kosovës do të bëhet një zonë që nuk e keni parë për nga lulëzimi, që do të shpërthejë për nga ekonomia nëse nuk preket kjo shtresa e parë, për të cilën pjesa e veriut edhe njihet”, ka thënë ai.

Konjufca shton se negociatat me Serbinë përgjatë viteve na kanë prodhuar ndarje të karakterit etnik, në aspektin e drejtësisë, në aspektin e Telekomit, energjisë etj.

“Të pretendosh se situata atje sa i përket bandave të Vuçiqit, Veselinoviqit, atje janë të paprekshëm, vazhdojnë ta bëjnë kontrabandën por në këtë situatë atje do të shfaqin interes kompanitë më të mëdha botërore për me ardhë dhe të investojnë kjo është joreale. Qasja sa i përket Kosovës është që së pari ajo shtresa bazike duhet të jetë prania e pasfiduar e institucioneve të Kosovës”, ka thënë Konjufca.