Arbëri

PRAK-u i kërkon Qeverisë së Kosovës të mos i lehtësojë masat

Descriptive Text

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë përmes një letre dërguar kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, kanë shprehur shqetësimin për lehtësimin e masave.

Në letër thonë se me shqetësim kanë pranuar lajmin se Qeveria e Republikës së Kosovës është duke planifikuar një fazë të re të lehtësimit të masave në kohën kur ka rritje të rasteve me COVID-19 dhe kur kapacitetet spitalore shkojnë në kufijtë e tyre. PRAK gjithashtu ka përmendur faktin se disa institucione shëndetësore publike janë mbyllur, por disa private, po vazhdojnë punën.

“Siç mund të jeni në dijeni shumica e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës janë ndërprerë për shkak të pandemisë. Ndërprerja e këtyre shërbimeve qytetarëve të Kosovës po u kushton në shëndet dhe jetë. Si rezultat i kësaj shëndeti publik i qytetarëve tanë po vihet në pikëpyetje, me ose pa pandemi. Të lirohen masat e tjera siç janë ahengjet, e qytetarët që kanë nevojë për shërbime shëndetësore të durojnë dhimbjen e tyre, kjo shkon në kufijtë e etikës”, thuhet në reagim.

Përderisa shërbimet shëndetësore në institucionet publike janë ndërprerë, thotë PRAK, në ato private po vazhdohet puna normalisht.

“Kjo me vetëdije apo pa të, dikujt i përshtatet! Ju lusim shumë, që para se fillimit të shërbimeve shëndetësore të sigurta të mos planifikoni lehtësim të mëtutjeshëm të masave, pasi që e drejta për shëndet dhe jetë ka më shumë vlerë se të gjitha të drejtat e tjera. Pa gëzimin e këtyre të drejtave, të gjitha të drejtat e tjera janë të kufizuara”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.