Arbëri

Lansohet aplikacioni “Lajmëro Policinë” ku qytetarët mund t'i raportojnë rastet

Policia e Kosovës të mërkurën ka lansuar platformën elektronike “Lajmëro Policinë”. Ky projekt do të jetë edhe një mundësi tjetër alternative për qytetarët për raportim sa më të shpejt dhe efikas të rasteve të ndryshme dhe avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit me Policinë e Kosovës.

Në konferencën për media morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, Rashit Qalaj, Kryesuesi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, zëdhënësi i Policisë Baki Kelani dhe përfaqësues nga Divizioni për Siguri Publike të PK-së, raporton KOHA.

Qalaj ka falënderuar ambasadorin dhe OSBE-në për ndihmën ndaj policisë.

“Ndihma këtë herë do të jetë digjitale. Lajmërimet tash do të jenë më konfidenciale. Ky aplikacion është i rëndësishëm edhe për efikasitetin e policisë, dhe tash do të jenë edhe më të shpejtë për ndihmë ndaj qytetarëve. Ky do të jetë përafrim i qytetarit me policinë”, tha Qalaj.

Ambasadori Braathu, tha se OSBE-ja do të vazhdojë ndihmën ndaj Policisë së Kosovës, dhe me lansimin e këtij aplikacioni, shpreson të rritet ndihma e policisë ndaj qytetarëve.

“OSBE-ja prej fillimit ka ndihmuar policinë dhe këtë ndihmë do ta vazhdojë. Jam i lumtur të jem këtu dhe ta ndihmojë policinë edhe për lansimin e këtij aplikacioni. Sot përmes teknologjisë informative është lehtësuar çdo raportim. Nganjëherë duam të raportojmë diçka por nuk dimë si ta bëjmë, e mënyrë e tillë si kjo me aplikacion e lehtëson atë. Tash kemi lansuar këtë aplikacion që u lehtëson të gjithëve të raportoni krimet, dhunën e trafikimin. Ky është rast i mirë për raportime të tilla në Policinë e Kosovës”, u shpreh Braathu.

Ambasadori Braathu, ka shtuar gjithashtu se ky aplikacion do të ndihmojë policinë që të mbërrijë sa më parë në vendin e ngjarjes nga ky bëhet thirrja por ndërhyrje apo ndihmë.

“Shpresoj që të ketë rezultate të mira e të shpejta. Në aplikacion mund të dërgoni edhe fotografi nga ndonjë vend i ngjarjes. Shpresoj të mos ketë barriera të çfarë raportimi. Jam krenar me punën e Policisë së Kosovës. Kemi nevojë që policia të jetë sa më afër qytetarit”, tha Braathu.

Në konferencë, u bë thirrje nga stafi policorë që qytetarët t’i raportojnë të gjitha rastet si të dhunës, trafikimit e krimeve në Policinë e Kosovës, përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë”.

Sipas PK-së, përdorimi i aplikacionit siguron informacion, saktësi e efikasitet dhe aplikacioni digjital i ndihmon qytetarit të raportojë në kohë reale, madje edhe ndonjë rast të vjedhjeve, aksidenteve etj. 

Ky aplikacion mund të shkarkohet në “Play Store”.