Arbëri

Bashkë, por të ndarë

Foto: Koha

Rinia flet shqip, serbisht e romisht nëpër hapësirat publike të fshatit. Rrugët mbajnë emrat e heronjve të shqiptarëve e të serbëve. Por edhe toponime romësh e ashkalinjsh. Mu para shtëpisë së kryetarit serb të katundit multietnik, “Rruga e Bregajve” lidhet me “Vëllazërim-Bashkimin” – shkruar gabimisht në serbisht, në tabelën jo fort larg qendrës. Si rrallëkund në Kosovë, Plemetini i Obiliqit gërsheton raportet kundërthënëse jo vetëm ndërmjet banorëve të tij. Edhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, Sulltan Berisha, rom 19 vjeç, thotë se plemetinasit e rinj sfidë më të madhe kanë papunësinë e lartë. Përgjatë rrugës kryesore, që zgjatet ndanë hekurudhës pa qarkullim treni, të rinjtë shkojnë e vijnë me karroca dore, biçikleta, me karroca të improvizuara, apo me traktorë dyrrotësh, me rimorkio, me materiale metalike. Tinejxherët luajnë në oborret e vërshura nga mbeturinat para dy ndërtesave të banimit kolektiv të romëve e ashkalinjve. Poshtë tyre mësohet shkrim e lexim – jo edhe tani shkaku i pandemisë. Më të vegjlit pa top, improvizojnë me ndonjë shishe plastike. Dikur kishte fushë futbolli. Në stadiumin e futbollit të madh midis fshatit, vende-vende barishtet e egra janë rritur deri në brez.“Tybe me hi aty, një top me gju, del Cobi edhe nuk i len”, ndërhyn një burrë, derisa Berisha ankohet për mundësi të kufizuara për aktivitete rinore.

Me Cobi i referohet plakut Slobodan Vlasiq, ish-kryetar i fshatit dhe ish-kryetar i klubit të shuar të futbollit të madh. Burri në mes të shtatëdhjetave është pronar i dyqanit matanë “prrugës” përballë ndërtesave të ndara për familjet pjesë e skemave sociale. Plemetini nuk po mund ta riaktivizojë klubin e futbollit për shkak të mungesës së mbështetjes institucionale dhe refuzimit të të rinjve shqiptarë e serbë për të djersitur të njëjtën fanellë.

“Edhe macen me nguc t’grrith”

Por, të rinjtë e komuniteteve luajnë herë pas here edhe në fushën-balonë. Afër saj, ku është platforma e stacionit të trenit, një grua u qahet në shqip shoqeve se djali i ka kokëdhimbje të forta. “Mos e ka koronën?” – ia kthen tjetra. Një tjetër ndërhyn në gjuhën rome.

“Po, po, e çojmë mirë me shqiptarë, me serbë e me krejt”, thotë Berisha, tinejxher, baba i dy vajzave. “Por, edhe macen me nguc, t’grrith”.

“Ne nuk kemi probleme ndërmjet vete. Jemi fqinj dhe kalojmë mirë, por na kemi shkollën tonë, shqiptarët të veten. Romët e ashkalinjtë disa shkojnë në shkollën shqipe, disa në atë serbe”, thotë një serb në fillim të njëzetave, pa dashur të tregojë identitetin.

Ramiz Thaçi, pensionisti e nënkryetar i fshatit, thotë se romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët përbëjnë shumicën e popullsisë. “Romët tash janë rreth një mijë, shqiptarë mbi dyqind dhe nja gjashtëqind serbë”, thekson ai, duke treguar se gjatë viteve nëntëdhjetë në Plemetin u vendosën refugjatë serbë nga Kroacia e Sllovenia. Thaçi, ish-burgosur politik, thotë se pas luftës në fshat janë vendosur edhe serbë të fshatrave përreth, të cilët “donin me kriju një komunë të re” me shumicë serbe, me përkrahje të institucioneve paralele. Viteve të fundit po shtohet edhe numri i familjeve rome e ashkalinje.

{gallery}

“I kemi do familje serbe me të cilat edhe nuk folim hiç”, thekson Thaçi, i cili gjatë viteve tetëdhjetë ishte mbajtur tre vjet në Burgun e Nishit, si pjesë e Lëvizjes për Kosovën Republikë. “I kemi lajmëru (autoritetet,v.j.) edhe për uniformat që i kanë veshë”. Tre civilë shqiptarë u vranë nga forcat serbe në fshat menjëherë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s.

Thaçi tregon para dyerve të oborrit se kryesia multietnike ka arritur të sigurojë mbështetjen nga organizata të ndryshme për mbështetje rinisë.

Megjithatë, ndarja shihet edhe në tabelat e makinave para shkollave në një oborr. Mësimdhënësit serbë i kanë me targa KS, me të cilat kalojnë pa problem kufirin me Serbinë. Me RKS janë të mësimdhënësve shqiptarë. Në “Pandeli Sotiri” mësohet shqip. Serbisht e me sistem të Serbisë në “Branko Radiçeviq”. Aty si pastruese punon bashkëshortja e Shaban Berishës, zyrtari rom në Sektorin për Riatdhesim në Komunën e Obiliqit. Dy fëmijët e mëdhenj të tij kanë kryer ekonominë në Graçanicë, në degën e Universitetit të Mitrovicës.

Pa mundësi

Sulltan Berisha thotë se rinisë së Plemetinit i mungojnë mundësitë për punë. Përderisa familjet serbe varen prej pagave e pensioneve të Serbisë, familjet e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve po shtrëngohen ta njohin Serbinë për shtet të tyre për të përfituar materialisht nga skemat sociale. “I marrim 250 euro prej Serbie”, thotë babai i ri, i cili punon gjatë pranverës dhe verës për 20 euro ditën në plantacione të ndryshme në rrethinat e Obiliqit e të Vushtrrisë.

Romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kanë shkallë papunësie të të rinjve prej 49 për qind. Megjithëse komplekse, korniza ligjore dhe institucionale e Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë siguron një bazë të fortë për promovimin e respektimit të të drejtave individuale dhe grupore.

Haki Abazi, ish-zyrtar për komunitete dhe kthim në Komunën e Obiliqit dhe aktivist egjiptian, thotë se fëmijët romë, ashkalinj dhe egjiptianë mund të përballen me vështirësi integrimi për shkak se nuk ka unifikim të sistemit të shkollimit. “Edhe pse është e drejtë e prindërve që fëmijët me ndjek mësimin në cilëndo gjuhë, mund t’iu dalin probleme për integrim”, thekson Abazi, duke treguar se më shumë po sprovohen nxënësit romë, të cilët në shtëpi flasin romisht.

Vështirësitë gjatë komunikimit shqip i dëshmon një nxënës rom i klasës së tetë në “Branko Radiçeviq”, derisa kalon para dyqanit të Vlasiqit. Aty mund të blihet me dinarë dhe me euro. Në ballë të rafteve të produkteve janë vënë flamujt e shteteve prodhuese. Edhe të Kosovës. Nipi i tij – dytë shtatgjatë - nuk dëshiron të flasë.

“Na Plemetini kemi mbet as me Graçanicë, as me Mitrovicë (Veriore,v.j.)”, thotë Vlasiqi. “Shiko, po të them, unë jam kanë tetëmbëdhjetë vjet kryetar katuni”, tregon në serbisht Vlasiqi, duke e vazhduar në shqip: “Qysh po thojnë, lideri i katunit”.

“Është pak pështjelltë”, thotë me qeshje Berisha, kur pyetet për ndikimin e sistemit paralel serb në fshat. “Mundësi për shkollim ka, vetëm varet nga dëshira e nxënësve dhe e prindërve”, thekson Berisha, babai i katër fëmijëve, derisa lë për pak punët e oborrit në shtëpinë e re në Plemetin. Thotë se ndryshe prej viteve të mëhershme kur në fshatin multietnik ishin të shpeshta martesat e vajzave edhe të moshës dymbëdhjetëvjeçare, viteve të fundit gjendja ka nisur të përmirësohet pasi “edhe vajzat po vetëdijesohen”.

Të dhënat e hulumtimeve të Organizatës Botërore të Punës tregojnë se 12 për qind e vajzave të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian martohen para moshës 15-vjeçare, krahasuar me vetëm një për qind të djemve nga këto komunitete dhe më pak se një për qind e vajzave nga komunitetet e tjera që martohen para kësaj moshe. Pothuajse 43 për qind e vajzave rome, ashkalinje dhe egjiptiane deri në 18 vjeç janë të martuara ose në bashkëjetesë krahasuar me vetëm 14 për qind e djemve nga komunitetet e tyre dhe 10 për qind të femrave nga komunitetet e tjera.

“Marrëdhëniet multietnike i kemi super”

Berisha, zyrtari për riatdhesim, thotë se për shkak të shkallës së lartë të varfrisë, të rinjtë plemetinas po shtrëngohen të heqin dorë prej shkollimit. Krahasuar me rreth 98 për qind të popullsisë së përgjithshme, vetëm 73 për qind e grave dhe rreth 87 për qind e meshkujve romë, ashkalinj dhe egjiptianë dinë shkrim-lexim.

“Po duhet me iu ba krah pune baballarëve”, thotë Shaban Berisha.

Ngjashëm ka vepruar Sulltan Berisha, i cili ia ktheu shpinën shkollës në klasë të pestë. Më 2014, familja e tij mori kredi për të migruar ilegalisht në Gjermani. Gjermania riatdhesoi familjen dhjetanëtarëshe pas një viti. “Na kanë marrë në katër të sabahit dhe na çun në aeroplan për Kosovë”, tregon me qeshje Berisha. “Edhe njëherë tjetër dolëm kah Maxharia (Hungaria,v.j.), por na kthyn prapë pas ni muji”. Tani dymbëdhjetë anëtarët e dy familjeve jetojnë në banesën me dy dhoma gjumi e një sallon.

Shumica e të intervistuarve, përfshirë nënkryetarin Thaçi – thonë se në fshat janë shpeshtuar vjedhjet. “Kemi telashe me hajni. Po vjedhin lopë e traktora, e këto s’nalen”, thekson Shaban Berisha. Gjatë njëzet minutave të zhvillimit të intervistës para dyerve të tij, patrulla policore shkon e kthehet përgjatë rrugës kryesore të Plemetinit. Por pavarësisht se ndikimi i dy sistemeve shihet gjithandej, Berisha ngulmon: “Marrëdhëniet multietnike i kemi super”.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Rexhep Malokut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së).