Arbëri

MPB-ja fton AKI-në të inspektojë për sigurinë e dokumenteve në kabinetin e ish-ministrit Sveçla

Foto: Agim Veliu / Facebook

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të kërkojë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë të inspektojë nëse janë të arsyeshme shqetësimet për sigurinë fizike të dokumenteve të klasifikuara në Kabinetin e ish-ministrit Xhelal Sveçla. Në një njoftim për media, MPB-ja ka thënë se pas pranimit të detyrës së ministrit Agim Veliu, në kabinet “është gjetur një gjendje e parregullt e disa nga dokumentet e klasifikuara në nivelin përkatës të klasifikimit”.

Sipas njoftimit, MPB-ja ka themeluar fillimisht një komision për të evidentuar gjendjen e dokumenteve të ndodhura në njërën nga kasafortat e kabinetit.

“Ky Komision përmes raportit të datës 8 qershor 2020, ka konstatuar se disa nga këto dokumentet nuk janë gjetur në gjendje të sigurisë fizike, sipas standardeve siç përcaktohet me ligj dhe me Rregulloren nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”, thuhet në njoftim. “Pas raportit të komisionit, i cili ka ngritur shqetësim, MPB si institucion i ruajtjes së këtyre dokumenteve, do të veprojë në përputhje me Ligjin për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë. Po ashtu do të ftojmë autoritetin kompetent, pra Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, që përmes inspektimit të vërtetojë nëse këto shqetësime janë të arsyeshme apo jo, pra të vërtetojë se Kabineti i ish Ministrit Sveçla a i ka ruajtur këto dokumente në kushte dhe standarde siç i përcakton Rregullorja nr. 14/2011 për Sigurimin Fizik të Informacionit të Klasifikuar”.

MPB-ja ka thënë po ashtu se “do të ndërmarrë hapat e mëtejshëm me qëllim që kjo çështje të sqarohet siç e parasheh Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë, i cili në nenin 50 përcakton se: ‘cilido bartës i autorizuar i informacionit të tillë të klasifikuar i cili nuk e mbron informacionin e klasifikuar siç kërkohet me këtë ligj, kryen vepër penale dhe dënohet me burgim’”.

KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Xhelal Sveçla, por ai nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike.

Sveçla kishte zëvendësuar Veliun pasi ky ishte shkarkuar nga ish-kryeministri Albin Kurti. Veliu u kthye në post me formimin e Qeverisë Hoti.