Arbëri

Pezullohen konkurset në ndërmarrjet me borde të përkohshme, opozita akuzon Qeverinë

Edhe pse kishte një javë që ishte larguar nga pozita e kryeministrit, Albin Kurti nëpërmjet Facebookut lajmëroi se në katër ndërmarrje publike janë hapur konkurse për zyrtarë të lartë.

Mirëpo, këtë të martë ministri i Ekonomisë, Blerim Kuçi, ka njoftuar se ka kërkuar nga bordet e përkohshme të ndërmarrjeve publike që të pezullohen këto konkurse, raporton KOHA.

KOHA gjatë ditës ka kontaktuar me përfaqësues të ndërmarrjeve publike që kanë thënë se nuk kanë njohuri për ndonjë vendim për pezullim.

Përveç kësaj, Kuçi thotë se kanë filluar procedurat për hapjen e konkurseve për borde të përhershme të të gjitha ndërmarrjeve publike.

Mirëpo, sipas Mimoza Kusarit, kjo qeverisje e tanishme nuk është e aftë të bëjë ndryshime në këtë aspekt, marrë parasysh kapjen e bordeve më herët.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi thotë se do të mbikëqyrin të gjithë procesin e konkurseve për borde.

Albin Kurti gjatë kohës sa udhëhiqte Ekzekutivin kishte shkarkuar bordet e 11 ndërmarrjeve publike në vend dhe i kishte zëvendësuar ato me borde të përkohshme.