Arbëri

Ministria u ka ndarë të vdekurve afro 150 mijë euro pensione

Descriptive Text

Një milion e 258 mijë euro është vlera e pagesave të jashtëligjshme që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka bërë gjatë vitit të kaluar. Janë paguar pensione pa bazë të qartë ligjore, pensione për persona që kanë vdekur, e pensione për persona të cilët kanë realizuar të ardhura personale.

Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, 991 mijë e 852 është vlera e 4 mijë e 481 pagesave që janë bërë pa bazë të qartë ligjore, 142 mijë e 345 euro është vlera e 1 mijë e 15 pagesave për pensione pas vdekjes së përfituesve, dhe 124 mijë e 632 është vlera e 1 mijë e 386 pagesave që janë bërë për përfitues të cilët kanë qenë duke punuar ose kanë realizuar të ardhura personale, shkruan KOHA Ditore.

Njëra prej gjetjeve të ZKA-së është çështja e pagesave pa bazë të qartë ligjore.

“Bazuar në krahasimin e të dhënave të Ministrisë për skemat pensionale dhe ndihmat sociale, kemi konstatuar se Ministria kishte kryer pagesa në vlerë prej 991 mijë e 852 eurosh pa bazë të qartë ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së. Rastet më të shpeshta të përfitimit të më shumë se një pensioni nga skemat pensionale thuhet se janë përfituesit që i takojnë kategorisë së TMK-së dhe FSK-së, të cilët përfitojnë edhe pensione të tjera.