Arbëri

KOMF-i kërkon nga Qeveria e Kosovës të rris përkrahjen për fëmijët

Foto: Koha / ilustrim

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF përmes një letre i është drejtuar Ministres së Financave, Hykmete Bajrami, Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, për të kërkuar mbështetje të sektorit jo-qeveritar për ofrim të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm.

KOMF-i ka kërkuar që gjatë planifikimeve dhe rishikimeve buxhetore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, mbrojtja e të drejtave themelore të fëmijëve duhet të jetë prioritet absolut për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e vendosur këtë prioritet para investimeve kapitale.

“Pandemia Covid-19 ka rënduar gjendjen e fëmijëve të cenueshëm, ku shumë prej tyre kanë mbetur pa shërbimet e nevojshme, sidomos fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e neglizhuar etj. Në këtë fazë është e rëndësishme që të merren hapat e nevojshëm për zbutjen e pasojave tek fëmijët duke ofruar shërbime direkte cilësore, përmes financimit të qëndrueshëm të shërbimeve për fëmijët e cenueshëm, rritjes të mbështetjes ndaj ofruesve të shërbimeve dhe kontraktimin e tyre në këtë periudhë të vështirë gjatë dhe pas pandemisë”, thuhet në reagimin e KOMF-it.

Organizatat Jo-Qeveritare ofruese të shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm mbështeten financiarisht nga niveli qendror (MPMS dhe MSH), donatorë ndërkombëtar, komunat dhe sektori i bizneseve. MPMS dhe MSH përmes procesit të thirrjeve publike çdo vit kanë financuar organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve direkte për fëmijët e cenueshëm dhe qytetarët në nevojë për shërbime.

“Këtë vit si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, nuk ka pasur thirrje për mbështetje financiare të organizatave të licencuara që ofrojnë shërbime direkte. Poashtu, mbështetja nga sektori i biznesit ka rënë dukshëm për shkak të situatës të krijuar nga pandemia. Për arsyet e cekura më sipër, KOMF kërkon: Shpalljen urgjente të thirrjeve të rregullta vjetore për financimin e Organizatave Jo-Qeveritare për ofrim të shërbimeve nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë. Rritjen e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte të ofruara nga sektori jo-qeveritar”, thuhet tutje.

KOMF thotë se ka parasysh që gjendja e përgjithshme ekonomike është rënduar si pasojë e pandemisë Covid–19 dhe mund të bëhen rishikime buxhetore. KOMF kërkon që në kuadër të rishikimeve buxhetore të bëhet rritja e buxhetit për financimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore direkte për fëmijët e cenueshëm të ofruara nga sektori jo-qeveritar.