Arbëri

Grenell-Ischinger përplasen për Kosovën në Twitter

Descriptive Text

Diplomati gjerman Wolfgang Ischinger ka reaguar pas lajmit të emisarit amerikan për dialogun, Richard Grenell se procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë këtë muaj në Uashington.

Ambasadori Grenell gjatë ditës ka bërë të ditur se dialogu do të vazhdojë më 27 qershor, ftesë kjo e cila është mirëpritur nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti.

Por, diplomati gjerman Ischinger ka thënë se një gjë e tillë po bëhet pa koordinim me Bashkimin Evropian, emisari i të cilit për dialogun Mirosllav Lajçak nesër do të arrijë për vizitë në Kosovë.

“Në rregull, por pse kjo do të parandalojë një qasje të përbashkët të Grupit të Kontaktit SHBA-BE? Mos harroni Bosnjën 95, kujtoni Kosovën 98/99, kujtoni Kosovën – Trojkën 2007! ‘Së bashku brenda, së bashku jashtë’ ishte motoja jonë atëherë. Funksionoi mjaft mirë. Kam frikë se kjo nuk do të përfundojë mirë”, ka shkruar Ischinger.

Grenell është kundërpërgjigjur ndaj deklarimeve të Ischinger duke thënë që “vërejtjet e tij të mos i kursejë në drejtim të institucioneve të BE-së”.

“Ne i mirëpresim të gjitha veprimet, jo vetëm bisedimet. Pse nuk bën një postim për BE-në për të ndërmarrë veprime për vizat, të cilat ata i kanë premtuar për vite të tëra? Populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë progres”, ka shkruar Grenell.

Ischinger i ka përkujtuar ambasadorit amerikan se qytetarët e Serbisë tash e sa kohë lëvizin lirshëm pa viza.

“Udhëtimi pa viza për Kosovën është vërtet një pikë e mirë. E kam mbrojtur fuqimisht këtë për një kohë të gjatë sikurse e dinë miqtë e mi kosovarë. Sa i përket Serbisë, sigurisht që ka vite që ka udhëtime pa viza”, tha Ischinger/KsP.