Arbëri

Gjykimi ndaj Darko Tasiqit, i akuzuar për krime lufte, nis nga fillimi

Pasi që kanë kaluar më shumë se tre muaj nga shqyrtimi i fundit, sipas kodit të procedurës penale shqyrtimi ndaj Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte, ka nisur këtë të hënë në Gjykatën Themelore të Prizrenit prej fillimit.

Në këtë seancë Darko Tasiq ka thënë se nuk ndihet fajtor sipas pikave të aktakuzës dhe ka deklaruar se do të mbrohet në heshtje.

Prokurorja e rastit Drita Hajdari, tha se në bazë të provave që i ka siguruar Prokuroria vërtetohet se Tasiq ka kryer vepra penale. "Mbetem para të gjithave arsyeve dhe provave të cekura më herët", tha Hajdari.

Mbrojtja e Tasiqit në këtë seancë ka thënë se provat e paraqitura nuk e vërtetojnë fajësinë e të akuzuarit. Avokati Lubomir Pantoviq ka thënë se nuk e shohin të arsyeshëm që të dëgjohen të gjithë dëshmitarët sërish meqë sipas tij, Tasiq ka më shumë se dy vjet që është në paraburgim.

Darko Tasiq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës se gjatë muajit mars 1999 ka kryer krime lufte në Krushë të Vogël si pjesëtar i forcave rezervë të Policisë jugosllave.