Arbëri

Hoti njofton QUINT-in për “përkushtimin në rifillimin e dialogut”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it, për “përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rifillimin e procesit të dialogut me Serbinë”.

Sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, Hoti sot është takuar me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik dhe ekonomik në vend.

“Në këtë takim, në të cilën e pranishme ishte edhe Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, kryeministri Hoti i njoftoi ambasadorët për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, angazhimin maksimal për rimëkëmbjen ekonomike, luftën kundër pandemisë COVID-19, si dhe për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në rifillimin e procesit të dialogut në funksion të stabilitetit rajonal dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore”, thuhet në njoftim.

Hoti me të marrë postin e kryeministrit në fillim të qershorit ka nisur me prezantimet e prioriteteve të tij për dialogun me Serbinë. Ai e ka njoftuar për to edhe Akademinë e Shkencave teksa ka paralajmëruar edhe krijimin e një “forumi të liderëve” duke kërkuar pjesëmarrjen edhe të liderëve opozitarë, ndërkaq brenda Zyrës së Kryeministrit ka propozuar formimin e këshillit të ekspertëve. Kuvendit, Hoti ka thënë se, do t’i propozojë themelimin e një komisioni parlamentar për dialog, të cilin duhet ta udhëheqë opozita.

Hoti është shprehur se Qeveria do të udhëheqë procesin e dialogut, ndërsa ka theksuar se roli i presidentit duhet të mbetet brenda kompetencave që ia përshkruan Kushtetuta.