Arbëri

Policia thotë se ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për tubimin e Vetëvendosjes

Foto: Driton Paçarada / KD

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme me qellim të mbarëvajtjes së tubimit që do të organizohet nesër nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një njoftimi për media, Policia ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, për të ruajtur rendin dhe ligjin si dhe për të respektuar masat ndaj pandemisë.

“Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, dhe me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, me qëllim të mbarëvajtjes së tubimit, mbajtjes së rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit”, thuhet në njoftim.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar tubim për të premten, për shkak të 21-vjetorit të çlirimit të vendit dhe 15-vjetorit të themelimit të kësaj partie.