Arbëri

Spitali “Medical Center” ndal shërbimet pasi një infermiere rezultoi pozitive me koronavirus

Descriptive Text

Spitali “Medical Center” i cili gjendet afër magjistrales Prishtinë – Fushë Kosovë është mbyllur. Kjo pasi një infermiere e këtij spitali ka rezultuar pozitive me koronavirus.

Rasti sipas drejtorit të spitalit Tunë Pervorfi, është konfirmuar të dielën pasdite. Ai ka thënë se që nga ajo kohë nuk kanë ofruar shërbime për pacientët.

“Ne e kemi mbyll spitalin...nuk kemi punuar as dje as pardje, kemi qëndruar prezent vetëm për të ju dhënë informata pacientëve që kanë qenë dy javë më herët të caktuar, kështu që nuk kemi rrezikuar askënd”, është shprehur Pervorfi, duke shtuar se në spital kanë dalë vetëm dy persona në recepsion. Ai ka treguar se deri më tani negativë kanë rezultuar 7 kontakte të infermieres, ndërsa për 6 të tjerë ka thënë se mostrat janë marrë të martën dhe janë në pritje të rezultateve.

Pervorfi e ka konfirmuar se Policia e Kosovës ka qenë të mërkurën në spital, pasi që kanë pasur një informatë që kanë qenë duke punuar. Por sipas Pervorfit, pjesëtarët e policisë vetëm janë informuar se spitali nuk është duke punuar.

“Ndërhyrje të policisë nuk ka pasur, kanë ardhur vetëm të informohen, unë kam dalë pasi më kanë thirrur, policët më thanë që kanë informata që po punojmë, ju thash që nuk po punojmë prej që është konfirmuar rasti COVID-19”, ka theksuar Pervorfi.

Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

“Rreth orës 14:00 kjo informatë është trajtuar nga zyrtarët policorë të stacionit Jugu në Prishtinë në koordinim me institucionet kompetente që po merren me menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19. Nuk ka pas elemente për inicim të ndonjë rasti”, ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.