Arbëri

Virusi i racizmit

Descriptive Text

“Nëse nuk më dëgjon, t’ha magjupi!”, “Jeni bërë më t’zinj e më t’këqinj se magjupët!”, “Mos u ba magjup!”, apo “Mahalla e magjupve!”, janë vetëm disa prej shprehjeve që i ka dëgjuar prej fëmijërisë Bajram Ilazi, aktivist e ish-kryetar i Këshillit të Studentëve të Komuniteteve Rom, Ashkali e Egjiptian.

“... pra, gjithçka negative, ofenduese dhe e keqe iu referohet se iu përket ‘magjupve’, e që në këtë rast etiketojnë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, e që unë iu bëj thirrje që t’i njohin edhe më mirë këto komunitetet”, thekson Ilazi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare, “Bashkimi Rinor, e Ardhmja e Ndritur” (BRAN).

Por, në fakt, mungesa e njohjes së historisë së pakicave ka rezultuar me krijimin e paragjykimeve shoqërore. Shprehje të ngjashme poshtëruese dëgjohen rrugëve e shesheve të qyteteve gjithandej Kosovës. Madje zihen ngoje edhe prej prindërve teksa i qortojnë fëmijët për sjellje të pahijshme.

“Shoqëria jonë në thelb është raciste”, thekson publicisti Imer Mushkolaj, duke shtuar se racizmi manifestohet më fort brenda familjes e rrethit më të ngushtë shoqëror, “me ç’rast nuk kursehet gjuha raciste dhe ofendimet ndaj të tjerëve”.

 “Ekzaltimi”

“Madje sikur ekziston njëfarë ekzaltimi, kënaqjeje në mënyrën se si shoqëria e portretizon veten karshi grupeve të tjera, duke rrezikuar të kalojë në stadin që racizmi të konsiderohet njëfarë vlere”, thekson Mushkolaj.

Racizmi në Kosovë shënjestëron më së shumti qytetarët me ngjyrë të komuniteteve joshumicë: romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Këto komunitete bashkërisht përbëjnë dy për qind të popullsisë së Kosovës. Statistikat zyrtare flasin për 8.824 qytetarë romë ose 0.5 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Kosovë. Kanë prejardhje nga India Qendrore, shkruan në hulumtimin e Ada Huibgretses, “Perspektivat e të rinjve romë, ashkalinj dhe egjiptianë mbi mundësitë dhe sfidat për punë të denjë në Kosovë”, bazuar mbi hulumtimet në Gjakovë, Fushë-Kosovë e Graçanicë.

Në hulumtimin e mbështetur nga Organizata Botërore e Punës, Huibregtse thotë se gjuha e tyre dallon nga gjuhët zyrtare në Kosovë. Komuniteti ashkali është më i madhi nga këto tri komunitete me 15.436 pjesëtarë ose një për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Ashkalinjtë jetojnë kryesisht në zona urbane, me përqendrim në komunat e Ferizajt, Fushë-Kosovës, Lipjanit, Prizrenit dhe Shtimes. Besohet se kanë prejardhjen nga Persia e Lashtë, thuhet po aty. E komuniteti egjiptian përbëhet nga 11.524 pjesëtarë ose më pak se një për qind të popullsisë së përgjithshme të Kosovës. Egjiptianët jetojnë kryesisht në zona urbane me përqendrim më të madh në komunat e Gjakovës, Pejës, Istogut dhe Klinës. Gjurmët e origjinës së tyre flasin për prejardhje nga Egjipti i Lashtë.

Aktivisti Bajram Ilazi thotë se në çdo vend të botës ka racizëm.

“Mirëpo, për dallim nga vendet e tjera që pranojnë se ka racizëm në vendet e tyre, Republika e Kosovës më shumë punon që të theksojë se nuk ka racizëm, sesa ta ulë racizmin si fenomen shumë negativ”, thotë ai.

Betim Musliu, i cili ka mbi pesëmbëdhjetë vjet si gazetar dhe si aktivist i shoqërisë civile që përcjell sistemin e drejtësisë, thotë se fatkeqësisht edhe vetë është përballur me situata në të cilat ishte shfaqur racizmi. Dhe ato ia kishin kujtuar kohën kur shqiptarët e Kosovës ishin cak të politikës së dhunshme e vrastare të regjimit serb vetëm për shkak të etnisë.

“Këto situata të krijuara të kthejnë mbrapa në kohën e regjimit të Milosheviqit, të kujtojnë përjetimet e poshtra që kemi kaluar vetëm pse kemi qenë shqiptarë”, thekson Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke shtuar se meqë shqiptarët si popull ishin viktimë e racizmit, do të duhej të ndryshonin qasjen ndaj bashkëqytetarëve pavarësisht ngjyrës. Megjithatë beson se racizmi nuk është dukuri në Kosovë.

Regjisori Besim Ugzmajli i përgjigjet me një fjalë pyetjes se a është raciste shoqëria kosovare.

“Sigurisht”, thotë prerazi ai. “Ne jetojmë me dozë të lartë racizmi, me një lloj racizmi të trashëguar ndër breza. Gjasat që të bëhesh sikurse ai që urren janë shumë të mëdha në shoqëritë e paedukuara e të paemancipuara mjaftueshëm”.

Prandaj, ngulmon ai, shoqëria kosovare e ka zhvilluar “racizmin duke kopjuar racizmin që është provuar mbi ta”.

Ugzmajli mendon se shoqëria e ka “kultivuar” racizmin edhe si mënyrë për t’ia mbushur mendjen vetes se “ti vlen”.

“Me fjalë të tjera, duke u ndier jo të barabartë me të tjerët, shoqëria jonë i është qasur me racizëm një pakice tjetër në veçanti”.

Fridon Lala, ish-ministër i Zhvillimit Rajonal nga njëra prej dy partive egjiptiane me përfaqësues në Kuvend, thotë se shprehjet raciste janë integruar thellë në fjalorin e shoqërisë kosovare. Kur i ka rastisur të dëgjojë njollosje mbi baza racore, është munduar “ta merrte me sportivitet”.

“Jam munduar të kuptoj që për shkak të përdorimit të gjatë njerëzve iu duhet kohë t’i eliminojnë këto shprehje nga fjalori i tyre dhe shpeshherë i përmendin në afekt pa menduar shumë”, thekson Lala. Sidoqoftë, përdorimi i këtyre shprehjeve nuk është aspak i arsyetueshëm, thekson ai, duke marrë parasysh qëllimin për të cilin përdoren.

“Këto shprehje nënkuptojnë që tjetri është më pak njerëzor se ti, dhe automatikisht ka vlerë më pak. Mëkati më i madh është që plot prindër i edukojnë fëmijët e tyre në frymën e këtij mentaliteti superior. Çdo njeri lind dhe është i barabartë me të tjerët”.

Humori “i zi”

“Magjup” është shprehja që dëgjohet më së shumti në “fjalorin” e racistëve.

“Kjo shprehje dëshmon se edhe në shoqërinë tonë në Kosovë, pavarësisht vuajtjeve shekullore që kanë përjetuar nga racizmi, ende ka elemente të papranueshme të racizmit, të cilat me sa kam vërejtur përdoren në stilin e humorit, sidomos me komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian”, thekson Betim Musliu, duke treguar se gjatë ditëve të masave kundër pandemisë ka qarkulluar një xhirim ku “keqpërdoret një fëmijë, i cili deklaron se atij nuk i bie virusi sepse është ‘gabel’ e nuk është ‘magjup’”.

“Kjo video është bërë virale në rrjetet sociale dhe pikërisht kjo dëshmon elementet raciste ndaj një komuniteti që keqpërdoren për të bërë humor, gjë që është i papranueshëm ofendimi që bëhet duke keqpërdorur fëmijët”, thekson ai.

Osman Dudaku, mirëmbajtës i shkollës “Naim Frashëri” në Zaskok të Ferizajt, ku mësojnë fëmijët shqiptarë, romë e ashkalinj të Zaskokut dhe Dubravës ngjitur, thotë se rastet e fyerjeve raciste janë rralluar ndërmjet nxënësve shqiptarë e të pakicave.

“Jo, nuk kemi raste kur e shajnë në grup shqiptarët pse nxënësi tjetër është ashkali”, thekson Dudaku, një prej punëtorëve të rrallë nga radhët e pakicave në institucionet publike.

Në një mbrëmje fundmaji, shqiptarë e ashkalinj luajnë futboll në fushën në zemër të Dubravës. Ka edhe shokë klase të etnive të ndryshme në të njëjtin ekip.

Sistemi arsimor në dokumente e politika proklamon tolerancë, thekson Rinor Qehaja, nga instituti për edukim “EdGuard”.

“Kultura e institucioneve arsimore është e ndërtuar në vlera dhe bindje që sponsorizojnë tolerancën, mirëpo, nga ana tjetër, mund të rastisësh në tekste shkollore ose ligjërata që komunikojnë të kundërtën”, thekson Qehaja, duke shtuar se paragjykimet shoqërore dhe etnike gjithmonë zhvillohen dhe manifestohen tutje në diskriminim dhe racizëm. Ai thotë se paragjykimet reflektojnë problemet e ndryshme shoqërore që manifestohen edhe në sjelljen e fëmijëve në shkolla kundrejt bashkëmoshatarëve me prejardhje tjetër etnike a racore.

“Çdo fëmijë mund të jetë subjekt i diskriminimit, sikurse që çdo fëmijë mund të jetë diskriminues, por asnjëherë me vetëdije për sjelljen”, thotë Qehaja, duke shtuar se sjelljet janë rezultat i paragjykimeve të rrënjosura në familje e shoqëri. “Ndikimi socio-psikologjik është jashtëzakonisht i madh tek të dyja palët”.

“Ekziston një kujdes më i madh për mospërdorimin e shprehjeve dhe qasjes raciste në diskursin publik, por kjo është vetëm një fasadë që tregon shumë për karakterin hipokrit të shoqërisë”, thekson publicisti Mushkolaj. “Më e keqja është se edhe gjeneratat e reja nuk po i shpëtojnë ‘virusit’ të të qenit racist, e fatkeqësisht në këtë vazhdon të kontribuojë jo vetëm familja, por edhe shkolla, me tekste mësimore në të cilat shpesh haste gjuhën e papranueshme me primesa racizmi”.

Lulzim Qerimi, nënkryetar i Lipjanit nga radhët e komuniteteve, thotë se është fatkeqësi që edhe dy dekada pas luftës dëgjohen shprehje që njollosin qytetarët e vendit vetëm për shkak të ngjyrës.

“E di dhe më ka rastis me ndëgju kësi terme edhe në praninë time, dhe natyrisht që kam reagu sepse jam ndier keq”, thekson Qerimi. Ai shpreh bindjen se kjo gjuhë është ngulitur në mendësinë e një pjese të shoqërisë “dhe jo tek gjeneratat e reja”.

“Zakonisht kësi forme përdorin gjeneratat më të vjetra në moshë për shkak se, tek unë besoj, ekziston një lloj skepticizmi për këto komunitete, që si pikënisje e kanë paragjykimin për shkak të mosnjohjes”, thekson Qerimi, duke shprehur shpresën se gjendja do të ndryshojë në mesin e të rinjve.

Regjisori Ugzmajli trishtohet kur dëgjon etiketime raciste kudo. Madje mendon se racizmi shpërfaqet në disa kategori. Në të parën i fut ata që fyejnë duke e marrë gjuhën raciste si krejt normale.

“Të tillë shprehen me ‘mos u ba magjup’”, thekson ai. “Kategoria e dytë që është po aq shqetësuese, por që mendon se racizmi nuk është në rregull. Të tillët duke ‘përmirësuar’ kategorinë e parë thonë ‘mos thuaj ashtu (magjup) se edhe ‘këta janë njerëz’ ose ‘mos i ofendo se as këta s’kanë pasë qejf me kanë magjup’”.

Në të tretën i kategorizon “më të kujdesshmit”, siç u referohet, për shkak se e vetëkontrollojnë racizmin. “Ndërsa kategoria e katërt, e cila natyrshëm nuk është raciste dhe nuk ka nevojë as të jetë e ‘kujdesshme’ përbëhet fatkeqësisht nga një numër shumë i vogël qytetarësh shqiptarë të Kosovës dhe jo vetëm”, thotë Ugzmajli. “Pra, kjo shoqëri ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim. Kjo duhet të fillojë qysh në fëmijëri e gjatë gjithë edukimit të qytetarit të Kosovës”.

Shkurtesa e racizmit

Rinor Qehaja nga “EdGuard” thotë se në shkolla racizmi përgjithësisht nuk manifestohet në grup dhe se jo gjithnjë cak ka grupin.

“Kjo besoj që është diçka që duhet të hulumtohet më thellësisht në institucionet tona arsimore, si pikënisje për parandalim dhe reagim”, thekson ai, duke bërë thirrje që lufta kundër racizmit të përqendrohet më shumë në terren sesa në hartimin e dokumenteve strategjike që në letër garantojnë barazi për të gjithë qytetarët e Republikës të Kosovës, multietnike edhe në Kushtetutë. Aty romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët njihen ndaras si komunitete. Por në diskursin publik, edhe të politikanëve dhe zyrtarëve publikë, këto tri kategori janë kthyer në një shkurtesë të vetme prej inicialeve të tyre, RAE. Kështu u referohen vendorët e ndërkombëtarët.

Këtë qasje e kundërshton Muharrem Asllani, aktivist nga Fusha-Kosova. Thotë se në projektet e raportet e institucioneve evropiane, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët kategorizohen si RAE, ROMA ose ROM. “E kjo lë për të kuptuar se faktori ndërkombëtar i diskriminon komunitetet egjiptian dhe ashkalinj me projektet që adresohen për Kosovën”, thekson Asllani. “E këtu dallim mund të bëjmë vetëm te projektet e organizatës ndërkombëtare, OSBE, Zyra në Kosovë, që komunitetet i veçon dhe asnjëherë nuk i trajton si një komunitet të vetëm, por i njeh si: komuniteti ashkali, komuniteti egjiptian dhe komuniteti rom”, shton ai, duke treguar se edhe institucionet vendore “i fusin në një thes si komuniteti RAE, edhe pse Kushtetuta e vendit i njeh si tri kategori kushtetuese”.

Dhe po qe se kërkoni nëpër uebfaqe të ndryshme të institucioneve të Kosovës, nëpër strategji kombëtare, raporte apo dokumente zyrtare, tri komuniteteve u referohen me RAE.

Fridon Lala, ish-zëvendësministri egjiptian i Zhvillimit Rajonal, thotë se përtej historisë dhe dallimeve të këtyre grupeve etnike, vetë grupimi i tyre në shkurtesë trishkronjëshe është absurditet dhe i paligjshëm. “Përtej komunitetit mediatik dhe shoqërisë së gjerë e shoh tepër shqetësues faktin e standardizimit të këtij akronimi edhe nga radhët e përfaqësuesve institucionalë të Republikës. Edhe pse kjo praktikë e gabuar është ngritur në piedestale të ndryshme ndër vite, fatkeqësisht vazhdon të përdoret në masë të madhe”, thekson ai.

Ndryshe mendon Denis Galushi, gazetar në Radio-Kosovë. Ai thekson se edhe në mesin e këtyre tri komuniteteve nuk ka qëndrim të qartë për prejardhjen.

“Pra, si ka mundësi të kemi një familje të ndarë në; daja rom, halla ashkalike dhe axha egjiptian? Për këtë edhe më herët e kam publikuar një opinion timin duke e sqaruar termin rom dhe si është bërë unifikimi dhe zyrtarizimi qysh nga Kongresi i Parë i Romëve më 1971 në Orpington të Londrës të të gjitha fiseve nga bota”, thekson Galushi. “Sidoqoftë, për mua nuk është edhe aq shqetësuese kur dikush na thërret me këtë shkurtesë RAE, sepse ata aludojnë që jemi një, në fakt mendoj që edhe jemi të tillë, por politikisht të ndarë, edhe pse në jetën familjare jemi të bashkuar, ashtu siç është akronimi RAE. Tekefundit, për romë nuk ka krizë identiteti dhe nuk shqetësohen shumë nga ky akronim në Kosovë, sepse njihemi ndërkombëtarisht”.

Galushi thotë se fjala rom rrjedh nga gjuha romishte: rom-njeri, roma-njerëz.

“Pra, edhe një shqiptar mund të jetë ‘rom’. Sepse edhe shqiptari është njeri. Pra, lidhen dy kuptime. E para, identiteti human dhe, e dyta, etnik. M’varësisht nga konteksti”, thekson Galushi, duke shtuar megjithatë se “jemi te vetmit në botë që e kemi këtë kuptim për fat të mirë”.

“Mirëpo, fatkeqësisht ende vazhdojmë të etiketohemi me emra pezhorativë që ende janë të panjohur për ne”.

Lala, Ilazi e Asllani mendojnë se shoqëria në përgjithësi dhe institucionet në veçanti duhet të punojnë shumë më shumë që të njihen historia dhe vlerat e pakicave me qëllim që qytetarët të çmojnë njëri-tjetrin pavarësisht dallimeve.

“Ne si shoqëri në përgjithësi duhet që t’iu ofrojmë mundësi njëri – tjetrit të njohin kulturën, traditat dhe zakonet e njëri-tjetrit e në këtë mënyrë edhe do të ulim paragjykimet që shpien në racizëm, kontribut të veçantë në këtë aspekt duhet të japin edhe mediat si faktor shumë i rëndësishëm i informimit dhe vetëdijesimit, të cilat deri më tani fatkeqësisht kanë dhënë vetëm lajme dhe storie negative për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe asnjëherë nuk kanë paraqitur pasuritë kulturore dhe vlerat e tjera të tyre”, thekson Ilazi nga “Bashkimi Rinor, e Ardhmja e Ndritur”.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Rexhep Malokut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK- së”.)