Arbëri

Profesori kryeministër kthen Veliun në qeveri - AAK-ja me ministra kontradiktorë

I 12-i me vota në zgjedhjet e 6 tetorit, Avdullah Hoti është zgjedhur kryeministër për herë të parë.

Aq sa ishin të nevojshme, me 61 vota Hoti u zgjodh shef i ekzekutivit të ri, duke bërë që LDK-ja të udhëheqë për herë të dytë me Qeverinë.

Hoti për herë të parë në skenën politike doli në pah në kohën e udhëheqjes së Prishtinës nga Isa Mustafa, raporton KOHA.

Profesori i Ekonomikut nga Rahoveci shërbeu si ministër i Financave në qeverisjen e Isa Mustafës me PDK-në, dhe udhëhoqi LDK-në në synimin për të fituar zgjedhjet në vitin 2017.

Kandidatura e tij për kryeministër në atë kohë përfundoi në vendin e tretë, pas PAN-it dhe Vetëvendosjes.

Hoti do t’ia zërë karrigen Albin Kurtit, i cili e shkarkoi nga posti i zv/kryeministrit 1 orë pas mocionit kundër Qeverisë së Vetëvendosjes.

Kabineti i Hotit do të ketë 16 ministri e 4 zëvendëskryeministra. Një ministri dhe dy zëvendëskryeministra më shumë sesa Qeveria e kaluar.

Kryeministri Hoti do të ketë zëvendës të tij bashkëpartiakun Driton Selmanaj. Ministre të Financave, Hykmete Bajramin, ministër të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, i cili ishte shkarkuar nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Ministrinë e Mbrojtjes do të vazhdojë ta udhëheqë Anton Çuni, sikurse edhe Vlora Dumoshi, Ministrinë e Kulturës dhe Besian Mustafa, atë të Bujqësisë.

Befasia në kabinetin e Hotit është Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë.

Ministër i Infrastrukturës është zgjedhur Arban Abrashi, që ka zëvendësuar Lumir Abdixhikun, i cili s’ka pranuar të ketë post ministror në këtë Qeveri.

Ndërkaq, AAK-ja do të ketë 4 ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit të parë, që do t’i takojë Besnik Tahirit.

Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë, Meliza Haradinaj, ministre e Jashtme, Selim Selimi, minsitër i Drejtësisë dhe Ramë Likaj, ministër i Arsimit.

Për Likajn, organizata ORCA, ka akuzuar se është avancuar nëpërmjet mashtrimit akademik dhe plagjiaturës.

Ministrat e AAK-së kanë pasur probleme me ligjin. Blerim Kuçi është dënuar me 30 ditë burgim për mosdhënie të dëshmisë, në një rast për dyshime për krime lufte.

Ndërkaq, Meliza Haradinaj po ashtu është dënuar me 8 muaj burgim me kusht nga Gjykata Themelore e Prishtinës për deklarim të rrejshëm të pasurisë.

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt ka hise në qeveri me udhëheqjen e dy ministrive dhe gjithashtu me Albulena Balajn zëvendëskryeministre, familjare e bashkëshortes së Fatmir Limajt.

Skënder Reçica, ministër i Punës, kurse Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Në mesin e 4 zëvendëskryeministrave të zgjedhur është edhe Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, që pas zgjedhjes në këtë post në qeveri, kjo komunë do të shkojë në zgjedhje të reja.

Rakiqi do të jetë edhe ministër i Pushtetit Lokal. Ndërkaq, Ministrinë për Komunitete dhe Kthim do ta drejtojë Dalibor Jevtiq.

Nga minoritetet joserbe, ministër i Zhvillimit Rajonal është zgjedhur Enis Kervan nga Partia Demokratike Turke.

Qeveria Hoti pritet të ketë rreth 40 zëvendësministra.