Arbëri

Inspektori që brenda muajit ktheu në punë Istrefin e Thaçin, ka lëndë që s’i ka zgjidhur qe 7 muaj

Dy vendime të bordeve të përkohshme të emëruara nga Qeveria Kurti janë shpallur joligjore nga Inspektorati i Punës. Vendimet që kanë shpallur të jashtëligjshëm largimin nga puna të kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, dhe drejtorit menaxhues të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nijazi Thaçi, janë marrë nga i njëjti inspektor, Adrian Megjani. Ai ankesave të Istrefit dhe Thaçit iu është përgjigjur me vendime brenda muajit. Por ka ankesa për të cilat i njëjti person nuk ka dhënë vendime për më shumë se 7 muaj. Vendimet për largim janë marrë nga bordet e përkohshme të këtyre ndërmarrjeve publike të emëruara nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Megjani e as ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Valon Leci, nuk janë përgjigjur në interesimin e gazetës lidhur me prioritizimin e lëndëve në fjalë. Ndërkohë që ende nuk ka kaluar afati 8-ditor që japin vendimet e Inspektoratit, për njoftimin e këtij institucioni lidhur me veprimet e marra nga Telekomi i Kosovës, respektivisht KEK-u. Ky afat kalon të mërkurën e kësaj jave.

Vendimet i obligojnë këto institucione që t’i kthejnë në punë Istrefin e Thaçin, si dhe ankesa në shkallën e dytë të Inspektoratit, sipas vendimeve, nuk e shtyn ekzekutimin e tyre.