Arbëri

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen për respektimin e të drejtave të fëmijëve

Descriptive Text

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, ka tërhequr vëmendjen për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve.

Ai ka thënë se zhvillimi i shëndetshëm i fëmijëve është thelbësor për mirëqenien e ardhshme të çdo shoqërie.

“Kjo ditë, na ofron secilit prej nesh një mundësi reflektimi lidhur me gjendjen dhe veprimet tona për të mbrojtur, promovuar dhe festuar të drejtat e fëmijëve. Të drejtat e fëmijëve përbëjnë një pjesë integrale të të drejtave të njeriut. Andaj, është e rëndësishme që fëmijët të kanë në dispozicion të gjitha mjetet e mundshme jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të arritur potencialin e tyre maksimal. Pavarësisht kësaj, edhe ky qershor, i gjen fëmijët në vështirësi për gëzimin e plotë të të drejtave të tyre gati në të gjitha fushat e jetës”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjendja e krijuar nga pandemia globale e COVID-19 ka nxjerr në pah edhe më shumë mangësitë për realizimin e këtyre të drejtave si dhe ka thelluar pabarazitë ekzistuese.

Ai thotë se efektet socio-ekonomike të virusit dhe masat e ndërmarra për të kontrolluar pandeminë kanë ndikuar në mbijetesën dhe shëndetin e fëmijëve, sigurinë, të mësuarit si dhe potencialisht rrezikun nga varfëria.

“Këto efekte në ndërveprim me faktorë të tjerë siç janë gjinia, etniciteti, aftësia e kufizuar dhe gjendja ekonomike kanë pasur ndikim të ndryshëm tek fëmijët. Një shembull ishte kalimi nga mësimi në shkolla në mësimin online, ku u pa se shumë fëmijë nuk kishin qasje në paisje teknologjike dhe internet, veçanërisht fëmijët romë, ashkali, e egjiptas dhe fëmijët me aftësi të kufizuara. Sidomos për fëmijët me aftësi të kufizuara, kjo qasje ishte më e vështirë duke qenë se nuk kishte planprograme të përshtatshme për nevojat e tyre”, ka thënë ai.

Në përgjithësi, sipas tij, gjatë kësaj kohe janë vërejtur vështirësi në qasjen e fëmijëve në arsim, shërbimet sociale dhe shëndetësore si dhe është rritur dhuna në familje, rrjedhimisht edhe dhuna ndaj fëmijëve.

Jashari thotë se një jetë e lirë nga dhuna përpos që është e drejtë themelore, është dhe parakusht i domosdoshëm për mirëqenien dhe shëndetin fizik dhe mendor të fëmijës.

“Mëtutje, kufizimet e jetesës rutinore si dhe stresi psikosocial i shkaktuar nga mbyllja në shtëpi ose izolimi kanë ndikuar në shëndetin mendor të fëmijëve. Kjo pandemi ka theksuar më shumë se kurrë rëndësinë e programeve të shëndetit mendor dhe qasjen e të gjithë fëmijëve në shërbime psiko-sociale. Natyrisht, të rriturit në realizimin e detyrimeve dhe përgjegjësive karshi fëmijëve duhet të përfshijnë zërin dhe pikëpamjen e fëmijës në pajtim me zhvillim gradual të aftësive të tij/ saj”, ka thënë ai.

Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor të çdo viti nga shumë vende të botës dhe u shpall ditë ndërkombëtare e fëmijëve në konferencën botërore për mirëqenien e fëmijëve më 1925, në Gjenevë të Zvicrës. Atë ditë, 54 shtete pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Gjenevës për Mbrojtjen e Fëmijëve.