Arbëri

Kurti thotë se reciprociteti nuk është taktikë politike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke folur për reciprocitetin ka thënë se nëse Serbia do t’i shtojë barrierat, Kosova do t’i kundërpërgjigjet.

Ai në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka shtuar se ky veprim nuk është taktikë politike.

“Ne kemi thënë se jemi të interesuar për reciprocitet duke i tërhequr barrierat por nëse Serbia i shton ne do t’i përgjigjemi. Pra prej momentit kur është identifikuar masa, është propozuar, është studiuar ajo dhe nuk ka kurrfarë taktika politike”, ka thënë ai.

Ndërkaq për veprimet pas vendimit të Kushtetueses, ai ka thënë se do të vendoset nga subjekti se si do të vazhdohet tutje.

“Ne kemi marrë një njoftim për aktgjykimin e Kushtetueses dhe unë kamë shprehur qëndrimin, ku kam theksuar se do ta presim aktgjykimin e plotë për ta analizuar dhe më pastaj do t’i ndërmarrim hapat e mëtutjeshëm, të cilët nuk përcaktohen nga unë as si kryeministër në detyrë, e as si kryetar i VV-së po nga kryesia e subjektit”, ka thënë ai.

Për mungesën e ministrave të LDK ka thënë se, nuk e din pse nuk kanë ardhur, por se është dashur të jenë.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me raportimet për keqpërdorime ka thënë se kanë ftuar njësitë e krimeve ekonomike që t’i monitorojnë proceset.

“Në fillim të pandemisë rezervat që kemi gjetur kanë qenë pothuajse 0, dhe një ndër takimet ka qenë me operatoret ekonomikë dhe janë paralajmëruar që në këtë situatë të mos abuzojnë me çmime sepse do të dërgohen në prokurori. Ne i kemi bërë ftesë njësisë së krimeve ekonomike të vijnë e të monitorojnë këtë proces”, ka thënë ai.

“Është e vërtetë që në ditët e kaluara kam marrë një raport nga SHSKUK për shpenzimet dhe tenderët e vitit 2019 dhe ky raport është duke u shqyrtuar dhe në fund kur evidentohen shkeljet janë organet e hetuesisë që duhet të merren më çështjen”, ka shtuar tutje ai.