Arbëri

Hyseni: Nëse nuk amendamentohet, Kushtetuta shndërrohet në mjet tipik politik

Profesori Flamur Hyseni konsideron se Gjykata Kushtetuese ka dalë përtej interpretimit kushtetues me aktgjykimin në rastin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kandidati i partisë së dytë për kah fuqia e votës, është caktuar mandatar për ta formuar Qeverinë. Ai e sheh si çështje urgjente amendamentimin e Kushtetutës, veprim i vetëm ky që, sipas tij, do të mund ta mbronte atë nga shndërrimi në mjet politik.

Hyseni është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht në katedrën administrativo-kushtetuese.

Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore”, ai ka komentuar Aktgjykimin e Kushtetueses dhe ka treguar se si vende të tjera e kanë të rregulluar çështjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë dhe veprimet që pasojnë pas mocionit. Hyseni ka dhënë propozime konkrete për ndryshimin e Kushtetutës me të cilat do të evitoheshin ngërçet politike që i ka përjetuar Kosova, e edhe krizat politike sikurse kjo e tashmja.

KD: Z. Hyseni, si e vlerësoni përmbajtjen e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Dekretin e Presidentit që ka të bëjë me mandatarin për formimin e Qeverisë së re? Përbën interpretim ai, apo “shkrim” të normave të reja kushtetuese?

Hyseni: Aktgjykimi është mjaft voluminoz, por që ka sjellë një zgjidhje përtej interpretimit, çka nuk e ka për autorizim Gjykata Kushtetuese. Si i tillë, aktgjykimi duhet të respektohet, por respektimi më i mirë bëhet kur për të njëjtën çështje të amendamentohet Kushtetuta.

Normat juridike-kushtetuese e ka mandatin që t’i miratojë vetëm legjislativi – Kuvendi. Në rastet e paqartësisë së normës ose normave juridike-kushtetuese, Gjykata Kushtetuese ushtron veprimtarinë e interpretimit dhe në asnjë rast nuk mund të bëhet interpretim që del jashtë materies rregulluese. Në këtë rast Gjykata Kushtetuese ka bërë interpretim të zgjeruar që ka dalë jashtë materies rregulluese të Kushtetutës për çështjen konkrete, pasojat e votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit.

Kushtetuta e secilit vend e ka për qëllim t’i pamundësojë diskrecionet ose t’i minimizojë, ndërsa me këtë aktgjykim është mundësuar diskrecion përtej materies rregulluese në Kushtetutë.

Edhe në gjykatat kushtetuese të vendeve të tjera kanë trajtuar çështjen e mocionit të mosbesimit ose votëbesimit të Qeverisë. Bie fjala, ajo e Bullgarisë ka vendosur në tri raste që janë ndërlidhur direkt ose indirekt me çështjen e mocionit të mosbesimit – më 1992, 1994 dhe 2011. Në të tri rastet e ka ruajtur normën kushtetuese, e ka sqaruar kuptimin e saj, por nuk ka dalë jashtë materies rregulluese dhe nuk ka bërë interpretim të zgjeruar.