Arbëri

Krasniqi: Kushtetuesja ndërmori veprime për të gjetur arsye që të mbështesë aktgjykimin pro Thaçit

Image

Besnik Krasniqi, gazetar i KOHËS, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka ndërmarrë disa veprime që të gjejë arsye për të mbështetur një aktgjykim pro qëndrimit të presidentit Hashim Thaçi, lidhur me dekretin për Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

Në Deskun e KOHËS, Krasniqi ka thënë se që nga dërgimi i rastit në Kushtetuese, gjykata ka dërguar në Komisionin e Venecias pyetje “favorizuese” për mbështetje të këtij qëndrimi e ka kërkuar punimet përgatitore të Kushtetutës për të shtuar arsyet pro qëndrimit.

Sipas tij, shumica e gjyqtarëve në këtë gjykatë tashmë kanë ndarë mendjen se dekreti duhet të shpallet formalisht jokushtetues, por nëpërmjet një aktgjykimi do t’i caktohet një afat partisë fituese për caktimin e mandatarit të ri, gjë për të cilën Kushtetuta e vendit është e heshtur.

“Shumica e kanë ndarë mendjen se dekreti formalisht të shpallet jokushtetues e nëpërmjet aktgjykimit të caktohet afati 15 ditësh brenda të cilit partia fituese duhet t’i përgjigjet kreut të shtetit për emrin e mandatarit e në rast se nuk ofron emër brenda kësaj kohe, presidenti duhet të kuptojë vullnetshëm se kjo parti refuzon të japë emrin. Së paku 7 gjyqtarë brenda saj konsiderojnë se rruga që ka ndjekur presidenti, është rruga që duhet ndjekur edhe pas vendimit të Kushtetueses, vetëm se tash duhet t’i paraprijë formalizimi i 15-ditëshit që nuk figuron në Kushtetutë, meqë ajo është e heshtur sa i përket kësaj kohe. Këtë heshtje e ka shfrytëzuar kryeministri në detyrë, për të mos ofruar emrin e mandatarit. Nga ajo që kemi parë është se Kushtetuesja ka ndërmarrë veprime në funksion të gjetjes së arsyeve për të mbështetur këtë ide. Ne kemi publikuar tashmë informatën se në forumin e Venecies ka dërguar pyetje që ka ditur t’i përzgjedhë në funksion të përforcimit të qasjes që janë përcaktuar shumica e gjyqtarëve. Fakt relevant është edhe se punimet përgatitore të Kushtetutës, i ka kërkuar dhe po operon me to në një proces gjyqësor. Duket se edhe këto i ka kërkuar me synimin për t’u thirrur edhe në to për të pasur sa më shumë arsye e burime mbështetëse për aktgjykim të tillë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se sot në Kushtetuese ka pas takim të gjyqtarëve, një ditë para fundit të afatit të caktuar nga vetë gjykata për marrjen e vendimit për këtë rast.

Presidenti Thaçi kishte mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së, partisë së dytë nga zgjedhjet e fundit, për kryeministër, disa javë pas shkarkimit të Albin Kurtit nga posti i kryeministrit. Rasti ishte dërguar në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, që po kërkon zgjedhje të reja. Kushtetuesja e ka pezulluar dekretin deri të premten e 29 majit.