Arbëri

Provimet e afatit të qershorit do të mbahen në grupe të vogla

Në amfiteatrin e Fakultetit Juridik, që i ka 360 ulëse, në afatin e qershorit do të mbajnë provime vetëm nga 50 studentë.

Ata do të ndahen në grupe, duke respektuar distancën fizike për shkak të COVID-19, raporton KOHA.

Fakulteti Juridik tashmë ka nisur t’i vendosë edhe shenjat se si mund të ulën studentët gjatë mbajtjes së provimeve.

Dekani Haxhi Gashi ka deklaruar se janë duke planifikuar që ato t’i mbajnë nga data 20 qershor deri më 20 korrik.

Edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, ka bërë të ditur se janë duke i bërë përgatitjet për afatin e provimeve.

Sipas tij, meqë studentët duhet të ndahen në grupe, po planifikojnë që provimet të fillojnë nga ora 09:00 deri në ora 19:00 ose 20:00.

Fakulteti Juridik dhe ai Ekonomik funksionojnë në një objekt dhe i kanë nga rreth 5 mijë studentë. Dekanët e këtyre njësive akademike kanë bërë të ditur se përveç respektimit të distancës do të përkujdesen që të ketë edhe dezinfektim të hapësirave ku do të hyjnë studentët.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës përmes një përgjigjeje të shkurtër me shkrim kanë thënë se të gjitha detajet për mbajtjen e provimeve të qershorit do të trajtohen të premten në mbledhjen e senatit.