Arbëri

Mustafa: Faza e fundit e dialogut Kosovë-Serbi nis së shpejti

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa pret së shpejti një marrëveshje Kosovë-Serbi.

Në një intervistë për të përditshmen “Danas”, ai ka theksuar se shqiptarët e luginës së Preshevës duan të jenë pjesëmarrës aktivë në bisedimet rreth statusit të Kosovës.

“Mendoj se gjatë viteve të kaluara, Tirana ka qenë tejet proaktive, kur është në pyetje ofrimi i ndihmës për shqiptarët në Preshevë. Disa ministra në qeverisjen locale kanë bërë hapa konkretë, para se gjithash Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini, që po ashtu është takuar me homologun e saj serb sa i përket çështjeve të lidhura me arsimin në Luginën e Preshevës”, ka thënë Mustafa, transmeton KOHA.

Sipas tij, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është në fazën e fundit dhe do të jetë obligativ për të dyja anët. Gjendja politike në Kosovë, ashtu si edhe në Serbi, është sfidë përcaktuese për të dyja palët, beson ai.

“Një dialog i ri është i domosdoshëm midis të barabartëve, në mënyrë që të arrihet paqe afatgjatë. Kjo do të thotë se secila temë mund të jetë subjekt negociatash, prej kufijve, rendit kushtetues, rregullimit të brendshëm administrativ-territorial, resurseve natyrore dhe pronës ekonomike, të drejtave të pakicave, krimeve të luftës e deri tek zbardhja e fatit të të zhdukurve, që paraqet detyrë për të dyja shtetet në dialog”, ka thënë ai.