Arbëri

Organizata WWF kërkon transparencë nga institucionet dhe fokus në ruajtje të mjedisit

Organizata WWF dhe 14 organizata të tjera joqeveritare u janë drejtuar liderëve të Kosovës me një letër ku kanë kërkuar që të ketë transparencë dhe fokus e kujdes në mbrojtje të mjedisit.

Krenare Salihu nga organizata WWF në “Express Intervistën” ka bërë të ditur se një letër e njëjtë u është dërguar të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Në fillim të letrës përmendet pandemia, duke mos harruar mirënjohjen për institucionet që kanë punuar kundër kësaj pandemie. Kemi kërkuar transparencë me fokus të veçantë në mbrojtjen e mjedisit. Në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë prioritet mbrojtja e natyrës fatkeqësisht”, ka thënë Salihu.

Tutje ajo ka shtuar se gjatë pandemisë natyra është rigjeneruar.

“Edhe natyra na ka dhënë një mesazh shumë të mirë gjatë kësaj kohe të pandemisë, e kemi parë se ajo ka frymuar lirshëm dhe secili qytetar e ka parë se ajo është rigjeneruar. Duke marrë parasysh se ka pasur më pak lëvizje të njerëzve por edhe të transportit. E kemi parë se ka pasur ajër më të pastër. Kemi parë se kur kemi abuzuar më pak me natyrën ajo ka qenë shumë e mirë”, ka thënë ajo.

Ajo ka treguar se selia kryesore e WWF është në Zvicër, kurse për Ballkanin Perëndimor është në Zagreb dhe e njëjta e letër është dërguar në secilin prej këtyre shteteve.

“Qëllimi kryesor është shëndeti i njeriut, e tash kish qenë mirë fokusi kryesor të jenë proceset për mbrojtjen e natyrës. I kemi 14 organizata joqeveritare që e kanë mbështetur këtë letër që të ketë sa më shumë fokus e transparencë për mbrojtje të natyrës”, ka thënë Salihu.

Ajo shpreson se krerët institucional do të reflektojnë dhe do të kthejnë fokusin tek ambienti.

“Ne iu kemi dërguar këtë letër krerëve të institucioneve, presidentit, kryeministrit në detyrë dhe kryetares së Parlamentit. Shpresojmë se ata të reflektojnë dhe kanë me pa cilat janë të mirat e kësaj kërkese dhe ata me i drejtuar tek institucionet. Edhe nëpër shkolla është mirë me pas sa më shumë lëndë për mbrojtje të natyrës, rreth hedhjes së mbeturinave, riciklimin e përdorimin sa më të vogël të plastikës”, tha Salihu.

Ajo thotë se në Kosovë momentalisht ka vetëm disa aktivitete, porse po sheh një lëvizje pozitive në mbrojtje të mjedisit.

“Në disa shtete të tjera WWF ka kurrikulën e edukimit, në Kosovë nuk e ka momentalisht, por ka aktivitete për sensibilim të zonave të mbrojtura. Po e shoh se ka filluar shumë më shumë të mendohet për mbrojtjen e natyrës. Po më duket se ka filluar të përmendet, por prioritet të kenë nga institucionet”, ka deklaruar Salihu.