Arbëri

Hahn: Ballkani Perëndimor i takon Evropës

Eurokomisioneri për Buxhetin dhe Administratën i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, deklaroi se Ballkani Perëndimor i takon Evropës dhe përpjekjet e vendeve nga ky rajon duhet të shpërblehen.

Hahn theksoi për gazetën kroate ”Ekspres” se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE paraqet një proces, i cili bazohet mbi merita dhe si i tillë është në interes të vërtetë për Unionin.

“Bëhet fjalë për eksport të stabilitetit në vend të importit të destabilitetit’’, theksoi Hahn, i cili ka qenë Komisioneri i mëparshëm për Zgjerimin.

”Miqve nga Ballkani u them që të vazhdojnë me reformat drejt rrugës europiane dhe për këtë do të kenë mirënjohjen tonë”, theksoi ai.

Hahn përkujtoi se muajin e kaluar BE-ja vendosi të hapë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë edhe krahas krizës për shkak të pandemisë me koronavirusin.

Eurokomisioneri shtoi edhe se BE-ja me riprogramimin e mjeteve financiare dhe masave shtesë, siç është heqja e ndalesës për eksport të mjeteve mjekësore, tregoi qartë se Ballkani Perëndimor i takon BE-së/MIA.