Arbëri

Rreth 10 për qind e fëmijëve në Kosovë s’ndoqën mësimin online

Rreth 10 për qind e fëmijëve në Kosovë llogaritet se s’kanë pasur qasje në mësimin në distancë, ka thënë eksperti i Arsimit Dukagjin Pupovci, duke u mbështetur në disa hulumtime.

Sipas Pupovcit, ndonëse për një kohë të gjatë fëmijët nuk kanë qenë fizikisht në shkollë, mësimi në distancë ka arritur të mos krijojë boshllëk, por jo në të gjitha mjediset.

“Për fat të mirë nuk ka qenë boshllëk i plotë. Kemi pasur mësimin në distancë i cili një pjesë të mirë të këtij boshllëku e ka përmbushur, jo në të gjitha mjediset njësoj, duhet ta kemi të qartë. Ka familje që i ka tre ose katër fëmijë dhe e ka vetëm një kompjuter dhe nuk munden ata të hyjnë të tretë në Zoom në të njëjtën kohë. Te familjet e tilla sigurisht që shkaktohen pasoja. Ka që nuk kanë fare qasje në teknologji. Vlerësohet se diku 10 për qind e nxënësve në Kosovë nga grupet e margjinalizuara nuk kanë marrë pjesë në mësimin në distancë sipas disa hulumtimeve që janë bërë”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Sipas tij, në situata të tilla ka mundësi dhe kuptim që të kompensohet mësimi.

“Aty ka mundësi dhe ka kuptim të organizohet një formë e mësimit kompensues, qoftë në qershor apo korrik. Por nëse shihet mundësia e fillimit të vitit shkollor më herët, as kjo nuk mund të bëhet sepse nuk ka hapësirë kohore. Atëherë duhet t’ju njihet çfarë kanë mësuar deri më 11 mars, kur është ndërprerë shkolla”, shtoi ai.

Pupovci vlerëson se me t’u sqaruar rrjedha e pandemisë duhet të analizohet se si duhet të vazhdohet tutje.
“Unë mendoj se me t’u sqaruar rrjedha e pandemisë duhet të ulen Ministria e Arsimit, me Institutin dhe të mundohen ta parashohin zhvillimin e ngjarjeve, them ashtu, për një periudhë të një vjeçare. Nëse dyshohet se mund të jetë një valë e re e pandemisë ndoshta më mirë është që të fillohet më herët me vitin shkollor, të fillohet në fillim të gushtit. Ende nuk është e qartë se a do të kenë njerëzit të shkojnë në pushime, a do të hapen kufijtë, pastaj një numër i madh i qytetarëve është dëmtuar ekonomikisht saqë i vështirë do të jetë organizmi i shkuarjes në pushime. Këto modalitete duhet të shqyrtohen”, ka vazhduar ai.

Sipas tij kompensim i mësimit mund të bëhet te fëmijët që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin mësimin në distancë.

“Kompensim mund të ketë nevojë për fëmijët që nuk kanë pasur mundësi ta ndjekin mësimin në distancë. Sepse ata që e kanë ndjekur mësimin në distancë dhe t’u përsëriten gjërat të cilat pak ose shumë i kanë mësuar përmes mësimit në distance, nuk më duket shumë efektive”, është shprehur ai.

Pupovci vlerëson se nga kjo kohë janë nxjerrë edhe mësime. Sipas tij, shumë njerëz kanë pasur dyshime rreth përdorimit të teknologjisë nga ana e mësimdhënësve.

Ai tha se megjithatë u dëshmua se mësimdhënësi munden mirë ta përdorin teknologjinë.