Arbëri

Krasniqi: Për shkak të neglizhencës Kosova po humb fonde nga ndërkombëtarët

Shtatë marrëveshje në vlerë prej 250 milionë euro po presin ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës.

Por problem mbetet ratifikimi i këtyre marrëveshjeve nga Kuvendi i Kosovës, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë më 25 mars. 

Marrëveshjet për kredi të cilat kërkojnë ratifikim në Kuvend nuk kanë të bëjnë vetëm me situatën e krijuar nga pandemia COVID 19, por janë edhe marrëveshje tjera për projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza.

Albert Krasniqi nga Organizata “Demokraci Plus”, në Express Intervistën në Kohavision tha se këto marrëveshje kërkojnë të paktën votat e 80 deputetëve të partive politike.

“Marrëveshjet ratifikohen me 2 të 3-tat e deputetëve, duhet së paku 80 vota të deputetëve, kërkon forcat e të gjitha politikave në Kuvend”, tha ai.

Një pjesë e marrëveshjes, për shkak të mocionit, tha Krasniqi, kanë mbetur pa u ratifikuar. Disa tjera, janë të bllokuara në Kuvend porse meqë Kuvendi s’ka mbajtur ndonjë mbledhje deri tash, ato ende s’kanë marrë epilog.

Sipas Krasniqit, kur ka qeveri në detyrë, në bazë të parimeve ndërkombëtare ato duhet të kryejnë detyrat e mbetura porse s’shtyjnë përpara programin qeverisës.

“Kjo qeveri në detyrë s’duhet t’i lë anash obligimet financiare, pra s’duhet t’ia lë qeverisë së ardhshme”, u shpreh ai.

“Kuvendi duhet t’i kryejë obligimet që i ka, edhe pse ka qeveri në detyrë”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi tha se secila qeveri që vie, do të merret me pandeminë dhe krizën ekonomike.

“Kuvendi duhet t’i analizojë një nga një marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi Krasniqi, duke theksuar se për shkak të neglizhencës së institucioneve, Kosova disa herë ka humbur fondet nga ndërkombëtarët.

“Kemi humbur fonde edhe për deponitë e materieve të rrezikshme, e krejt për shkak të neglizhencës”, u shpreh tutje.

Sipas Krasniqit nga D+, patjetër duhet të bëhet ratifikimi i të gjitha marrëveshjeve.

“Edhe ato marrëveshje që kanë ardhur pas rënies së qeverisë duhet të ratifikohen. Cila do qeveri vjen pas kësaj aktuales, do t’i ratifikojë këto marrëveshje sepse janë fonde që të gjitha partitë politike llogarisin në to”, tha tutje.

Krasniqi gjithashtu theksoi se ligji për Qeverinë domosdo duhet të miratohet nga Kuvendi.