Arbëri

Prokurorët në prill kanë punuar shumë, thotë Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka mbajtur të mërkurën takim pune me kryeprokurorët e prokurorive Themelore, Prokurorisë Speciale dhe Prokurorisë së Apelit, njofton kumtesa prokuroriale, transmeton Koha.net.

Gjatë këtij takimi sipas kërkesës së kryeprokurorit Lumezi të gjithë kryeprokurorët e prokurorive të vendit, raportuan për muajin prill të këtij viti për punën e prokurorive që i drejtojnë, si dhe për punën e secilit prokuror të asaj prokurorie.

Nga paraqitja e këtyre raporteve u pa se gjatë muajit prill 2017 ka pasur rezultate të mira të punës dhe rritje të efikasitetit të punës në të gjitha prokuroritë themelore, në Prokurorinë Speciale të Kosovës, si dhe në Prokurorinë e Apelit.

Vetëm gjatë muajit prill shtatë prokuroritë themelore kanë pranuar në punë 2108 lëndë dhe kanë përfunduar 3140 lëndë, që do të thotë se prokurorët kanë përfunduar 1032 lëndë më shumë se sa kanë pranuar në punë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar në punë 550 lëndë dhe ka përfunduar 1124, ajo në Ferizaj ka pranuar në punë 244 lëndë dhe ka përfunduar 431, Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar 193 lëndë dhe ka përfunduar 195, ajo në Gjakovë ka pranuar në punë 183 lëndë dhe ka përfunduar 175, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka pranuar 138 lëndë dhe ka përfunduar 307, ajo në Pejë ka pranuar 393 lëndë dhe ka përfunduar 416 dhe Prokuroria Themelore në Prizren ka pranuar në punë 407 lëndë dhe ka përfunduar 492.

Kryeprokurori Lumezi i njoftoi kryeprokurorët se Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka aprovuar procedurat standarde të veprimit për ngritjen e efikasitetit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

Ai me këtë rast kërkoi që kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore të caktojnë nga një prokuror, me përjashtim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë që duhet të caktoj dy prokurorë, të cilët do të merren me trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me dhunën në familje, me synim për ngritje të efikasitetit në trajtimin e këtyre lëndëve.

Gjatë këtij takimi, kryeprokurori Lumezi kërkoi nga kryeprokurorët që t’i trajtojnë me prioritet edhe rastet që ndërlidhen me zgjedhjet, si dhe njoftoi se me qëllim të caktimit të obligimeve dhe detyrave në kuadër të projektit për mbrojtjen e votës ka aprovuar planin e veprimit për zgjedhjet nacionale në vend.

Kryeprokurori Lumezi njoftoi se është nënshkruar memorandum i mirëkuptimit në mes kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Prokuorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për aplikimin nga prokurorët dhe vendosjen nga ana e gjykatave për shitjen e aseteve, dhënies në shfrytëzim apo shkatërrimit të tyre.