Arbëri

Haxhiu: Si ka mundësi të dihet aktgjykimi pa u bërë publik nga Gjykata Kushtetuese

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se qytetarët kanë të drejtë të zemërohen rreth asaj që po ndodh me dekretin e presidentit Hashim Thaçi, përfshirë këtu edhe Gjykatën Kushtetuese.

Ajo përmes një postimi në Facebook, ka lënë të kuptohet se vendimi i Gjykatës është marrë dhe se ai është bërë publik para se ta bëjë këtë vetë institucioni.

“Qytetarët kanë plotësisht të drejtë që të zemërohen. Në njërën anë thuhet ‘mos ndërhyni në pavarësinë e Gjykatës’, e në anën tjetër orientimet e para të tyre qarkullojnë tek disa, përfshirë edhe në medie! Si ka mundësi të dihet aktgjykimi e mënyra e votimit, pa u bërë publik ende nga Gjykata?! Nëse është kështu, atëherë kjo nuk është pavarësi e Gjykatës. Vendimi i tillë është arnim i aktgjykimit për interesa të Thaçit dhe atyre që kanë humbur zgjedhjet dhe janë braktisur nga populli. Gjykata në mandat të saj, ka vetëm interpretimin e Kushtetutës dhe jo amendamentimin e saj. Amendamente kushtetuese mund të propozojnë vetëm Qeveria, Presidenti dhe 1/4 e deputetëve por pastaj ato duhet të votohen nga Kuvendi. Sipas Kushtetutës, nuk ka afat për mandatarin. Gjykata nuk mund të caktojë afat. Kjo do ta shkatërronte rendin kushtetues dhe demokracinë. Kjo do ta përmbysë vullnetin e popullit!”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo nuk ka thënë se cili është vendimi i GJK-së.

GJK-ja deri më 29 maj pritet të marrë një vendim për dekretin e presidentit, përmes të cilit ka mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.

VV-ja ka thënë se vetëm asaj si parti fituese e zgjedhjeve të fundit i takon formimi i qeverisë. Qeveria Kurti u rrëzua më 25 mars me mocion mosbesimi, i iniciuar nga LDK-ja, që ishte edhe partnere në këtë përbërje të ekzekutivit.