Arbëri

Lehtësimi i masave sjell grumbuj të qytetarëve para Agjencisë së Regjistrimit Civil

Qytetarë të shumtë janë parë teksa prisnin në radhë para Agjencisë së Regjistrimit Civil, pas rifillimit të punës të këtij institucioni.

Një pjesë e tyre kanë treguar se janë aty për regjistrim të automjeteve e të tjerë për t’u pajisur me dokumente personale.

Edhe pse nëpër muret e objektit të Agjencisë së Regjistrimit Civil kërkohej që të mbahej distancë prej së paku dy metrave, një gjë e tillë nuk është respektuar, raporton KOHA.

Por, për të marrë shërbimet e tyre brenda, qytetarët janë obliguar të pajisen me maska e dorëza.

Radhët e gjata para Agjencisë së Regjistrimit Civil, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike janë shkaktuar, sepse ky institucion po punon me staf të reduktuar.

Shefi i kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Shpend Nuhiu ka treguar se gjithashtu, shërbime marrin vetëm ata që e kanë kohën e lëvizjes, siç është e paraparë nga Ministria e Shëndetësisë, bazuar në numrin e letërnjoftimit.

Më 17 mars, ish-ministri Agim Veliu kishte marrë vendim që të shtyhej regjistrimi i automjeteve, pas rasteve të para me COVID – 19.