Arbëri

Ministrja Haxhiu e padit për shpifje Rrahim Ramën

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka paditur për shpifje ish-drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar, Rrahim Ramën.

Lajmin e konfirmoi për KOHËN ministrja Haxhiu, derisa tha se me të “ballafaqohet në gjykatë”.

“Të premten kam dërguar padi për shpifje kundrejt tij. Me të ballafaqohem në gjykatë”, tha Haxhiu.

Rama mbrëmë në Interaktiv të KTV-së drejtoi akuza ndaj ministres Haxhiu. Atë, madje e ka quajtur “seksere të Faton Dalladakut”.

“Më ka humbur respekti për Albulena Haxhiun kur është seksere e Faton Dalladakut. Albulena Haxhiu, po çuditem pse s’interesohet për dokumentet e privatizimit. Ishte e autorizuar nga Dalladaku prej 2010 deri më 2013 të gjitha procedurat që janë bërë në agjencinë për blerjen e tokave, pronave, për zhvatjen e agjencisë shtetërore ishte e autorizuar nga Dalladaku”, u shpreh Rama.

Rama, në anën tjetër para dy ditësh ka dorëzuar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës edhe pse ky këshill nuk është funksional.

“Kam dorëzuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, ankesën time ndaj Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht Komisionit Disiplinor të qeverisë për Pozita të Larta Drejtuese, i cili në fillim të këtij muaji ndërmori vendim të padrejtë për të më ndërprerë marrëdhënien e punës në AAPKS. Ankesa ime ka të bëjë me vendimin krejtësisht politik dhe arbitrar të këtij komisioni, të iniciuar dhe dominuar gjatë tërë kohës nga ministrja e drejtësisë Zonja Albulena Haxhiu, për të shqiptuar ndaj meje masën disiplinore me datën 05 Maj 2020 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, ka njoftuar Rama, i cili u shkarkua më 12 maj nga ministrja në detyrë Albulena Haxhiu.

Haxhiu kishte njoftuar se masa e ndërprerjes së marrëdhënies për punë për Rrahim Ramën, vjen për shkak të “keqmenaxhimit, joprofesionalizmit e mungesës së transparencës”.